Prokuroria e Lartë në Beograd parashtroi ankesë të premten kundër vendimit të gjyqtarit i cili e hodhi poshtë kërkesën e saj për caktimin masës së paraburgimit ndaj Millan Radoiçiçit në fillim të kësaj jave, konfirmoi ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).
Prokuroria bëri ankesë për shkak të rrezikut të arratisjes së Radoiçiçit, pas sulmit të armatosur më 24 shtator në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, përgjegjësinë për të cilin e mori vetë Millan Radoiçiç.
Prokuroria e Lartë Publike tha për REL-in se ankesa është parashtruar “për shkak të gjendjes së pasaktë dhe paplotë faktike”.
“Apeli kërkon ndryshimin e vendimit të marrë dhe caktimin e paraburgimit për të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.













