“Me Presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri”, ka shkruar kryeministri Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryparlamentaren Lindita Nikolla, transmeton Anadolu.
Takimi Rama-Osmani është mbajtur në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pa praninë e mediave.
“Me Presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri”, ka shkruar kryeministri Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Ndërkohë, në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me takimin Osmani-Nikolla, thuhet se kryeparlamentarja Nikolla theksoi se Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe se “bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik, me rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të rajonit”.
“Intensifikimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës po kontribuon në përshpejtimin e integrimit të të dy vendeve në BE, të Kosovës në NATO dhe përfaqësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Dialogu i mbështetur nga SHBA-ja dhe BE-ja është rruga e vetme drejt paqes. Shqipëria mirëpret vendimin për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Në partneritet me aleatët tanë strategjikë SHBA dhe BE, Kosova fitoi luftën dhe me këtë partneritet do të fitojë edhe paqen”, është shprehur Nikolla.
Sipas njoftimit të Kuvendit, presidentja Osmani ka theksuar se Bashkëpunimi mes institucioneve të të dy vendeve duhet të rritet sidomos në fushën e politikës së jashtme
Presidentja Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë në fillim të vizitës u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.












