“Maqedonia e Veriut është një partner i vërtetë dhe i besueshëm. Njerëzit e Maqedonisë së Veriut kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj vlerave të BE-së”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë hap vendimtar përpara, është porosia që përmes Twitter-it e dërgoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot pas arritjes në Shkup.
“Jam e lumtur që jam sot në Shkup. Maqedonia e Veriut është një partner i vërtetë dhe i besueshëm. Njerëzit e Maqedonisë së Veriut kanë treguar përkushtimin e tyre ndaj vlerave të Bashkimit Evropian. Ata meritojnë të shohin vendin e tyre duke ecur përpara në rrugën e anëtarësimit. Tani i takon Maqedonisë së Veriut te bëjë hapin vendimtar përpara”, shkroi ajo.
Në aeroportin e Shkupit e priti ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani pas çka kishin një takim të shkurtër.
“Kjo vizitë vjen në kohën e duhur, pikërisht para përfundimit të procesit të konsultimeve të gjëra rreth propozimit të fundit nga Presidenca franceze në Këshillin e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Me seancën e sotme të Kuvendit rrumbullakohen konsultimet që ishin realizuar me të gjithë vepruesit relevant shtetëror dhe shoqëror me qëllim të sjelljes së vendimit të duhur, i cili e prek të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, shkroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë së veriut, Bujar Osmani në rrjetet sociale.
Osmani potencoi se adresimi i një presidenti të KE-së në Kuvend është hera e dytë në histori, pas atij të Romano Prodi-it.
“Prandaj, edhe më shumë e vlerësojmë fjalimin e sotëm të presidentes së KE-së drejtuar deputetëve, në të cilin presim kontribut të rëndësishëm në procesin konsultativ dhe mbështetje për vazhdimin e integrimit tonë evropian. Kjo është hera e dytë në historinë tonë që presidentja e Komisionit Evropian t’i drejtohet Kuvendit tonë. Herën e parë, Romano Prodi, në fillimet e rrugës sonë eurointegruese, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe tani në fillimin e negociatave si fazë përfundimtare përpara anëtarësimit tonë të plotë në Union”, tha Osmani.
Sipas agjendës, ajo duhet të takohet me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, e më pas do t’i adresohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Sikur edhe ditët e kaluara vazhdojnë protestat që kërkojnë refuzimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.
Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.










