Presidenti ukrainas: Bisedimet me Rusinë nuk sollën rezultatet e dëshiruara

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Zelenskyy deklaroi se artileria ruse bombardoi ashpër Kharkovin duke kryer qartazi krime lufte në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se negociatat me Rusinë nuk sollën rezultatin që dëshiron Ukraina, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij drejtuar kombit mbrëmë, Zelenskyy tha se artileria ruse kishte bombarduar ashpër Kharkovin.

“Ky është një krim i qartë lufte. Ky është një qytet i qetë, vendbanim paqësor dhe nuk ka instalime ushtarake. Dhjetëra rrëfime të dëshmitarëve okularë dëshmojnë se ky ishte një shkatërrim i qëllimshëm”, tha Zelenskyy.

Zelenskyy akuzoi sërish Rusinë për shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare dhe shtoi se do të themelohet një gjykatë ndërkombëtare për krimet në Ukrainë.

Duke theksuar se e keqja duhet ndalur menjëherë, Zelenskyy tha se njerëzimi duhet të tregojë se si të mbrohet.

“Rusia ka shkelur të gjitha marrëveshjet, askush nuk do ta falë kurrë këtë”, tha Zelensky, duke shtuar se ushtria ruse kishte kryer 56 sulme me raketa dhe kishte shkrepur 113 raketa kryqëzuese në Ukrainë në pesë ditët e fundit.

Presidenti ukrainas i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe të mbyllë të gjitha portet, kalimet dhe aeroportet për anijet dhe avionët rusë dhe shtoi se Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë qindra miliarda dollarë nga eksporti i energjisë.

Zelenskyy më tej tha se forcat ruse kryen tre sulme me raketa në Kiev në një ditë dhe se po planifikojnë sabotim për të ndërprerë energjinë elektrike në kryeqytetin e Ukrainës.

Dje delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë filluan bisedimet e paqes në kufirin e Ukrainës dhe Bjellorusisë, ndërsa Zelenskyy tha se ende nuk ka ndonjë rezultat që pret pala ukrainase.

“Rusia shprehu qëndrimin e saj. Ata dëgjuan kundërmasa nga ne për t’i dhënë fund luftës. Kemi disa sinjale”, tha ai.

Zelenskyy tha se pas kthimit në Kiev, delegacioni ukrainas do të bëjë analiza dhe do të vendosë se si të pozicionohet në kuadër të raundit të dytë të negociatave.

Ai tha gjithashtu se Ukraina, pas 30 vitesh pritjeje, kishte nënshkruar dhe zyrtarizuar peticionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kategoritë
BotaLajme