“Kam përsëritur kërkesën që siguria në veri të Kosovës të merret nga pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitet për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, tha Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, për siç tha ai, “zhvillimin më të rrezikshëm të situatës në Kosovë deri më tani”, transmeton Anadolu.
Siç njofton presidenca serbe, Vuçiq ka bërë të ditur se ngjarjet e fundit janë rezultat i terrorit që është bërë ndaj popullatës serbe atje për një kohë të gjatë.
“Kam përsëritur kërkesën që siguria në veri të Kosovës të merret nga pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitet për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, tha Vuçiq.
Duke vënë në dukje se Serbia është e gatshme të punojë për vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), Vuçiq përkujtoi se Beogradi i ka zbatuar të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.
Ai theksoi se paqja e brishtë që ekziston është ruajtur falë vendosmërisë së popullit serb, i cili sipas tij bën përpjekje mbinjerëzore për t’i rezistuar të gjitha presioneve të regjimit në Prishtinë.
“Presidenti Vuçiq theksoi veçanërisht rëndësinë e pranisë së vazhdueshme ndërkombëtare në Kosovë dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës dhe mbrojtjen e popullatës serbe në provincë, si dhe tërheqjen e pjesëtarëve të të ashtuquajturës polici speciale të Kosovës nga veriu i Kosovës”, bëhet e ditur nga Zyra për Bashkëpunim me Media të Presidentit të Serbisë.
Bashkëbiseduesit diskutuan për anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Vuçiq tha se Serbia vlerëson mbështetjen e Danimarkës dhe propozoi fillimin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional të nëpunësve civilë në kuadër të integrimeve evropiane.
Vuçiq dhe Rasmussen shkëmbyen mendime për të gjitha temat me interes të ndërsjellë, duke përfshirë intensifikimin e ekonomisë dhe bashkëpunimit në sektorin e IT, mjedisin, bioteknologjinë, kulturën dhe të tjera.












