Presidenti Meta takohet me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut

Presidenti nënvizoi se si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të fuqizojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, presidenti Meta u njoh nga Grubi me ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Meta theksoi rëndësinë që ka përfshirja, sipas tij, sa më e madhe e diasporës shqiptare në këtë proces dhe vlerësoi se, “përtej aspektit statistikor, regjistrimi i popullsisë do të jetë përmbajtësor në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Gjithashtu sipas njoftimit, Presidenti Meta theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve për përballimin me sukses të sfidave të pandemisë dhe efikasitetit të përpjekjeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Presidenti Meta nënvizoi se si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të fuqizojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit”.

Kategoritë
LajmeRajoni