Që kur Polonia shpalli synimin e saj për të trajnuar çdo burrë të rritur për luftë, posedimi i një pasaporte polake ka marrë një kuptim tjetër.
Madje as statusi i famshëm hollivudian nuk përbën përjashtim.
“Nuk ka vërtet asgjë për t’u frikësuar!”, tha me humor kryeministri polak Donald Tusk në një video në rrjetet sociale, duke iu drejtuar aktorit amerikan Jesse Eisenberg.
Eisenberg mori shtetësinë polake në fillim të këtij muaji për rolin e tij në dramën “Real Pain”, e nominuar për Oscar, që trajton ribashkimin e disa kushërinjve hebrenj të larguar prej kohësh, gjatë një turneu përkujtimor për Holokaustin në Poloni.
Vetëm pak ditë pasi Eisenberg u bë qytetar polak, Tusk zbuloi planet për një zgjerim dramatik të ushtrisë. Kryeministri theksoi se trajnimi do të jetë vullnetar.
Polonia, që për gati dy shekuj ishte koloni e Moskës, ka ruajtur një ndjenjë të thellë shqetësimi ndaj Rusisë, shqetësim që u thellua edhe më shumë pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Varshava është tani shpenzuesi më i madh i NATO-s për sa i përket mbrojtjes, duke ndarë 4.7% të PBB-së për këtë qëllim, ka ushtrinë më të madhe në BE dhe po shpenzon miliarda euro për avionë, raketa, tanke, artileri dhe pajisje të tjera ushtarake.
Tani, Polonia po përgatit popullin e saj për luftë.
“Nëse shpërthen një konflikt në përmasa të plota, Polonia nuk ka thellësi strategjike si disa vende të tjera evropiane”, tha për Politico shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura polake, gjenerali Wiesław Kukuła.
“Në vend që të mbështetet te të tjerët për të ndalur rusët, Polonia planifikon të dyfishojë ushtrinë e saj në 500 mijë ushtarë dhe të trajnojë miliona rezervistë”, tha Tusk në parlament në fillim të marsit.
“Trajnimi do të jetë vullnetar”, theksoi ai, duke u përpjekur të zbusë shqetësimet rreth rikthimit të rekrutimit të detyrueshëm, një politikë jashtëzakonisht jopopullore që u shfuqizua në vitin 2008.
Për Poloninë, një vend me të ardhura të larta dhe një nga ritmet më të larta të rritjes ekonomike në BE, kalimi në gatishmëri për luftë do të shënojë një ndryshim të madh në mënyrën e të menduarit – dhe shumë prej qytetarëve të saj janë të gatshëm për këtë ndryshim, të nxitur nga urrejtja e hapur ndaj presidentit rus Vladimir Putin.