Politikani serb publikon një video: Kështu u festua ditëlindja e Radoiçiqit në Kopaonik

Politikani serb, Nemanja Sharoviq ka publikuar në rrjetin social “X” një video që sipas tij paraqet festën  e 46-vjetorit të Milan Radoiçiqit në Kopaonik.

Siç shihet në video, disa burra shpalosim një pankartë ku shkruhej “Gëzuar ditëlindjen komandant” përpara se të fillonin fishekzjarrët.

Para pankartës shfaqet një burrë,  i cili ishte filmuar nga pas dhe që i ngjan Milan Radoiçiqit.

 

Sipas raportimeve, Radoiçiq posedon një hotel luksoz në Kopaonik.

Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar,  një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeRajoni