Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut – Presidenti Erdogan shpalli detajet

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se nevojat dhe kërkesat e kombit ishin përcaktuesit esencialë në hartimin e Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut.

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë fjalës së rastit në Mbledhjen e Promovimit të Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut, organizuar në Qendrën Popullore të Kongreseve dhe Kulturës në Bestepe të Ankarasë.

Pasi theksoi se Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut është hartuar për t’u zbatuar në një hark kohor 2-vjeçar, Erdogani vijoi me këto fjalë: “Plani ynë i veprimit, vizioni i të cilit është të përgatisë individë të lirë, shoqëri të fortë dhe një Turqi demokratike, fillon me 11 parime bazë.”

Sipas tij, Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut është shembull se vullneti i Turqisë për ndryshim dhe reformë vazhdon e do të vazhdojë.

Lideri turk i renditi 3 parimet e para si më poshtë:

  1. Njeriu jeton me të drejtat e tij të patjetërsueshme. Qëllimi dhe detyra themelore e shtetit është mbrojtja dhe zhvillimi i këtyre të drejtave.
  2. Dinjiteti njerëzor, si thelbi i të gjitha të drejtave, është nën mbrojtjen efektive të ligjit.
  3. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pa asnjë lloj diskriminimi mbi bazat e gjuhës, racës, ngjyrës, gjinisë, bindjes politike, pikëpamjes filozofik, fesë, sektit dhe arsyeve të ngjashme.

Kurse 9 objektivat e Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut, Erdogani i radhiti si më poshtë:

  1. Një sistem më i fortë i mbrojtjes së të drejtave të njeriut
  2. Pavarësia e Gjyqësorit dhe forcimi i së drejtës për një gjykim të drejtë
  3. Parashikueshmëria e ligjit dhe transparenca
  4. Mbrojtja dhe zhvillimi i lirive të shprehjes, organizimit dhe fetare
  5. Forcimi i lirisë dhe sigurisë individuale
  6. Garantimi i integritetit material e shpirtëror të individit dhe jetës së tij private
  7. Mbrojtja më efektive e të drejtës së pronësisë
  8. Mbrojtja e grupeve të cenueshme dhe forcimi i mirëqenies sociale
  9. Ndërgjegjësimi administrativ dhe shoqëror i nivelit të lartë për të drejtat e njeriut
Kategoritë
BotaLajme