Një betejë e ndërlikuar për ndikim brenda Shtëpisë së Bardhë është arsyeja kryesore për deklaratat gjithnjë e më të shpeshta dhe kontradiktore të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rrjedhën e luftës me Iranin. Ndërsa konflikti po përhapet në Lindjen e Mesme, këshilltarët e tij po zhvillojnë një debat të ashpër se kur dhe si duhet shpallur fitorja.
Siç zbulon Reuters, disa zyrtarë dhe këshilltarë e paralajmërojnë Trumpin se rritja marramendëse e çmimeve të karburanteve mund të ketë një kosto të lartë politike për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit. Nga ana tjetër, “skifterët” politikë po i bëjnë presion presidentit që të vazhdojë ofensivën kundër Republikës Islamike, thonë burime pranë zhvillimeve në Uashington.
Këto tensione, për të cilat raportoi fillimisht Reuters, ofrojnë një pasqyrë të paprecedentë mbi procesin e vendimmarrjes në Shtëpinë e Bardhë, e cila po përpiqet të përshtasë qasjen e saj ndaj operacionit më të madh ushtarak amerikan që nga lufta në Irak në vitin 2003.
Konfuzion në mesazhe dhe kampe të kundërta
Lojërat prapa skenave theksojnë rrezikun e madh politik me të cilin përballet Trump. Edhe pse vitin e kaluar u rikthye në detyrë duke premtuar se do të shmangte ndërhyrjet ushtarake “të pamenda”, tani ai gjendet në një luftë që ka tronditur tregjet financiare globale dhe ka prishur tregtinë ndërkombëtare të naftës.
Duke u larguar nga objektivat e gjera që kishte shpallur kur nisi luftën më 28 shkurt, Trump në ditët e fundit ka theksuar se konfliktin e sheh si një fushatë të kufizuar, që sipas tij tashmë ka përmbushur pjesën më të madhe të qëllimeve. Megjithatë, mesazhet e tij mbeten të paqarta. Në një tubim elektoral në Kentucky ai tha: “Ne fituam”, por menjëherë më pas shtoi: “Nuk duam të largohemi shumë herët, apo jo? Duhet ta përfundojmë punën.”
Këshilltarët ekonomikë nga Departamenti i Thesarit dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar paralajmërojnë se një goditje në tregun e naftës mund të shkatërrojë shpejt mbështetjen e brendshme për luftën. Argumente të ngjashme paraqesin edhe këshilltarët politikë, përfshirë shefen e kabinetit Susie Wiles dhe zëvendësin e saj James Blair, të cilët e nxisin Trumpin të përcaktojë ngushtë kuptimin e “fitores” dhe të sinjalizojë se operacioni po i afrohet fundit.
Në anën tjetër qëndrojnë “skifterët”, si senatorët republikanë Lindsey Graham dhe Tom Cotton, të cilët argumentojnë se SHBA duhet të parandalojë Iranin të sigurojë armë bërthamore dhe të përgjigjet fuqishëm ndaj sulmeve kundër trupave amerikane.
Një rrymë e tretë vjen nga baza populiste e Trumpit. Figura si strategu Steve Bannon dhe komentatori Tucker Carlson po e shtyjnë atë të shmangë përfshirjen në një konflikt tjetër të gjatë në Lindjen e Mesme.
“Trump po përpiqet të mbajë të gjithë të kënaqur: skifterët të besojnë se fushata vazhdon, tregjet të mendojnë se lufta mund të përfundojë shpejt dhe bazës së tij t’i dërgojë mesazhin se përshkallëzimi do të jetë i kufizuar”, tha një këshilltar i tij.
Duke komentuar këto pretendime, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se historia bazohet në “thashetheme nga burime anonime” dhe shtoi se i gjithë ekipi presidencial është i përqendruar në arritjen e plotë të objektivave të operacionit “Epic Fury”.
Kërkimi i një strategjie daljeje
Kur hyri në luftë, Trump ofroi shumë pak shpjegime, ndërsa objektivat e administratës ndryshonin nga parandalimi i një sulmi të menjëhershëm iranian, deri te shkatërrimi i programit bërthamor apo edhe rrëzimi i qeverisë në Teheran. Tani, ndërsa kërkon një dalje nga konflikti gjithnjë e më i papëlqyer, presidenti amerikan po përpiqet të balancojë narrativa të ndryshme.
Valët e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite kanë vrarë shumë liderë iranianë dhe rreth 2.000 persona, kanë shkatërruar arsenalin e raketave balistike të Iranit, kanë fundosur një pjesë të madhe të flotës detare dhe kanë dobësuar grupet e tij aleate në gjithë Lindjen e Mesme. Megjithatë, këto suksese ushtarake janë zbehur nga sulmet iraniane ndaj tankerëve të naftës në Gjirin Persik, të cilat kanë rritur më tej çmimet e energjisë.
Analistët theksojnë se udhëheqësit iranianë do ta shpallin fitoren vetëm nga fakti që i mbijetuan sulmit amerikano-izraelit dhe treguan se mund të kundërpërgjigjen.
“Iluzioni i Venezuelës” dhe kriza në Hormuz
Ngushtica e Hormuzit pritet të jetë vendimtare për rezultatin e luftës. Rreth një e pesta e furnizimit global me naftë është pothuajse e bllokuar, ndërsa udhëheqësi i ri suprem Mojtaba Khamenei ka premtuar se kalimi do të mbetet i mbyllur. Nëse bllokada iraniane rrit edhe më shumë çmimet e karburantit në SHBA, kjo mund të krijojë presion të madh politik ndaj Trumpit para zgjedhjeve të nëntorit për Kongres.
Sipas disa burimeve, një pjesë e konfuzionit për rrjedhën e luftës lidhet edhe me suksesin e shpejtë të operacionit amerikan në Venezuelë në janar, ku u kap Nicolas Maduro dhe SHBA mori kontrollin mbi rezervat e naftës pa një konflikt të zgjatur. Disa këshilltarë thonë se Trump kishte pritur një skenar të ngjashëm edhe në Iran, por Republika Islamike u tregua një kundërshtar shumë më i fortë dhe më i përgatitur.
Megjithëse ekspertët paralajmërojnë se një luftë e zgjatur dhe rritja e viktimave amerikane mund të dëmtojnë mbështetjen politike, për momentin baza e lëvizjes MAGA vazhdon ta mbështesë presidentin.
“Baza MAGA do t’i japë presidentit hapësirë për manovrim”, përfundoi strategu republikan Ford O’Connell










