Për urën u diskutua edhe me Shefin e CIA, Bajqinovci më i prerë për hapjen e saj, Kurti flet për konsultime

Vizita e shefit të CIA’s, William Burns në Kosovë u pa si një ndalje e entuziazmit të shefit të Qeverisë, Albin Kurti, për hapjen e Urës së Ibrit që e nisi me një këmbëngulje pavarësisht paralajmërimeve të ambasadorit amerikan dhe vetë Departamentit të Shtetit. Pas takimit me të, kryeministri Albin Kurti nuk e përmendi çështjen e urës deri sot në mbledhjen e Qeverisë. Pa dhënë ndonjë datë, ai tha se aty po kryhen disa punime e pastrime.

Kryeministri Albin Kurti pasi përmendi vizitën e tij në SHBA – ku qëndroi me ftesë të NDI për të marrë pjesë në konventën e demokratëve – ai tha se në zyrën e tij erdhën disa zyrtarë të rëndësishëm në pak ditë. Duke potencuar se ka marrë mbështetje nga ta, Kurti tha se temë diskutimi “natyrisht” ishte edhe Ura e Ibrit.

“Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar, në harkun kohor të pak ditëve, mysafirë i kemi patur në kryeministri shefin e Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, Ëilliam Burns dhe Admiralin Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik”.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Europian”, tha sot Kurti në mbledhje të Qeverisë.

Për urën ka folur dje edhe deputeti i partisë së Kurtit, Mefail Bajqinovci, i cili foli me një siguri të madhe se ura do të hapet, por nuk mundi të ofrojë një datë se kur do të ndodhë kjo.

“Një është e sigurt: Ura do të hapet. Asnjëherë nuk kemi dhënë datë se ura do të hapet në korrik, gusht apo shtator. Ura duhet të hapet. Jemi vonuar. Kjo urë është dashur të hapet edhe me marrëveshjen e Brukselit sepse është nënshkruar marrëveshja. Nuk mund të jap datë, por e di që ura do të hapet sepse nuk ka nevojë të mbahet e mbyllur kjo urë”.

Bajqinovci hodhi poshtë deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, se hapja e urës tani do të vinte në rrezik jetën e ushtarëve amerikanë, si dhe të qytetarëve, duke thënë se grupet kriminale janë “matanë kufirit” dhe se s’ka kush të bëjë trazira.

Për më tepër, Bajqinovci dukej se nuk ishte i informuar se çka diskutoi shefi i tij i partisë, Albin Kurti me ambasadorin Burns. Derisa Kurti tha se “natyrisht” që hapja e urës u diskutua në takimet që pati, Bajqinovci tha se duhet të “kuptohet” se shefi i CIA’s s’ka ardhë në Kosovë për Urën e Ibrit.

“Shefi i CIA’s nuk ka ardhë për urë të kuptohemi sepse ne edhe nuk e dimë se s’kemi qenë brenda. Nuk cenohet asnjë person nuk e ka në Kosovë dhe Qeveria dhe populli sesa ushtarin amerikan, sidomos atë amerikan e atë britanik e gjerman. Andaj nuk cenohet asnjë ushtar me hapjen e urës. Asnjë”.

Kur u pyet se a ka garanci që s’mund të ketë provokime përtej urës, ai tha se “Radoiçiqi nuk është më në veri”.

“S’ka grupe…ata janë matanë kufirit”.

Bajqinovci tha se në komunat veriore “është ndalë ora në vitet 90-ta” dhe se atje dëshiron të shohë investime nga kompani e korporata.

“E kemi lëvizjen e lirë të njerëzve, korporata të mëdha kanë filluar të instalohen në veri ku aty do të ketë punëtorë të minoritetit serb dhe shqiptar, boshnjakë apo të tjerët që jetojnë”.

Ambasadori amerikan disa ditë para vizitës së Burns në Kosovë pati thënë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

Profesori amerikan, Edëard Joseph, në një intervistë për mediumin publik pati thënë se ka gjasa që Burns ia përçoi të njëjtat mesazhe Kurtit sikur ato të ambasadorit.

“Ne mund të supozojmë që drejtori i CIA’s Burns ishte duke transmetuar mesazhet që duhet të ishin konsistente me ato që ka transmetuar ambasadori Hovenier sepse e shihni në fotografi, e shihni Burns e shihni Kurtin dhe pastaj në krahun e djathtë të Burns e shihni ambasadorin Hovenier. Andaj, mund të paramendojmë që Burns do të transmetojë mesazhe të ngjashme te kryeministri Kurti që janë në konsistencë me qëndrimet e ambasadorit Hovenier”.

Kategoritë
LajmeVendi