Operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, arrestohen 20 persona

Në një njoftim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) thuhet se në kuadër të hetimit është konstatuar se të dyshuarit e këtij aktiviteti kriminal kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal

Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, kanë organizuar një operacion antidrogë, ku në kuadër të këtij operacioni në Shqipëri janë arrestuar 20 persona, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) thuhet se në kuadër të hetimit është konstatuar se të dyshuarit e këtij aktiviteti kriminal kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke trafikuar lëndë narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme, Türkiye, Greqi, si dhe vende të tjera drejt Shqipërisë e më pas me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.

“Pas një hetimi 2-vjeçar, SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences, EUROJUST, EUROPOL, Reparti i Karabinierisë Compagnia Borgo San Lorenzo (Firence), Policinë e Shtetit(Shqipëri), Zyrën e Interforcës Italiane dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, kanë bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal për 21 anëtarë të grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në disa raste trafikimi të lëndëve narkotike nga vende të Lindjes së Mesme, drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, lënda narkotike e sekuestruar, e llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe risinë është siguruar në Siri, Türkiye dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri, me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së.

“Gjatë këtij hetimi janë sekuestruar në 8 raste lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë, risinë dhe kanabis sativa”, me një vlerë të përafërt rreth 2.700.000 euro”, theksohet më tej në njoftim.

Sipas SPAK, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për 20 persona nën hetim dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar një person.

Më tej, theksohet se gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjete, pajisje kompjuterike, si dhe vlera monetare.

Kategoritë
LajmeRajoni