Revista e njohur britanike The Economist, me kopertinën e saj të re ku Donald Trump paraqitet duke hipur mbi një ari polar, dërgon një mesazh të fuqishëm për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike.
Në qendër të analizës është “kriza e Grenlandës”, raporti i Trumpit me NATO-n dhe nevoja që Europa të përgatitet për një botë ku mund të mbetet e vetme.
Sipas The Economistit, edhe pse europianët në Davos prisnin një tiradë të ashpër nga Trump, ai i surprizoi me një ton më pajtues. Megjithatë, prapa skenave po zhvillohet një dramë e vërtetë.
Trumpi, sipas analizës, kishte kërkuar “të drejtë, pronësi dhe posedim” mbi Grenlandën. Edhe pse përkohësisht u tërhoq nga tarifat doganore dhe përdorimi i forcës, dhe përshëndeti një “kornizë” të re për negociata, analistët paralajmërojnë: kjo mund të jetë vetëm një tërheqje taktike.
Grenlanda si test për aleatët
Dëshira e Trumpit për të “blerë” Grenlandën nuk është e re, por mënyra si ai e formuloi kërkesën — duke folur për NATO-n me përçmim — duhet të ndezë alarmet në çdo kryeqytet europian.
Trump pretendon — dhe në këtë aspekt ka të drejtë — se Arktiku do të shndërrohet në zonë përplasjeje teksa akulli shkrihet dhe hapen rrugë të reja detare. Ai e sheh Grenlandën si lokacion për një sistem të ardhshëm amerikan të mbrojtjes raketore të quajtur “Kupa e Artë” (Golden Dome). Logjika e tij është e thjeshtë: nëse ishulli i përket Amerikës, as Rusia e as Kina nuk do të guxojnë ta sulmojnë.
Por The Economist thekson se SHBA tashmë ka bazë në Grenlandë, dhe se në rast sulmi, Danimarka dhe aleatët europianë do të kishin interes të madh për ta mbrojtur. Prandaj, përfitimi shtesë nga “ngjyrosja e hartës” me ngjyrat e Amerikës është i vogël — por u përdor si test politik.
Mësimi për Europën: Trump tërhiqet vetëm nën presion
Kjo episodë sjell një mësim kyç për liderët europianë. Deri tani, ata janë sjellë ndaj Trumpit kryesisht me lajka, me pak kundërshtime të heshtura. Kësaj here, përballë rrezikut të tarifave dhe krizës së sigurisë, europianët kërcënuan me kundërmasa. Tregjet reaguan ndaj rrezikut të një lufte tregtare, ndërsa Kongresi shfaqi shenja të rralla kundërshtimi ndaj presidentit.
Përfundimi është i qartë: për ta detyruar presidentin amerikan të tërhiqet, duhet ta bindësh se do të paguajë çmim nëse nuk tërhiqet.
“Fshirje civilizuese” dhe fundi i NATO-s siç e njohim?
Edhe pse kriza aktuale mund të jetë zbutur, lajmet nuk janë të mira. Fjalimi i Trumpit në Davos shfaqi një përçmim ogurzi ndaj Europës. Ai pretendon se Amerika ka paguar “100%” të kostove të NATO-s dhe nuk ka fituar asgjë në këmbim.
Scott Bessent, sekretar i financave në administratën e Trumpit, ankohet se Amerika që nga viti 1980 ka shpenzuar 22 trilionë dollarë më shumë për mbrojtje sesa “përfituesit europianë”. Strategjia e sigurisë e administratës madje paralajmëron se Europa përballet me “fshirje civilizuese” për shkak të emigracionit dhe së shpejti mund të mos jetë më aleat i besueshëm.
The Economist e quan këtë një shtrembërim të historisë së NATO-s. Ndonëse pas Luftës së Ftohtë disa vende europiane shpenzuan pak për mbrojtje, sot ato — pjesërisht nga kërcënimi rus dhe pjesërisht nga presioni i Trumpit — po rrisin sërish buxhetet.
Përgatitje për një botë ku Europa mbetet vetëm
Problemi, sipas The Economistit, qëndron në bindjen e Trumpit se Amerika i mban të gjitha fijet në dorë dhe se aleatët kanë nevojë për të më shumë sesa ajo për ta. Kjo është pjesërisht e vërtetë: Europa varet nga armatimi amerikan dhe informacionet e inteligjencës.
Por Europa duhet ta demaskojë sipërfaqësinë e këtij mendimi.
Europa është treg për trilionë dollarë mallra dhe shërbime amerikane dhe furnizues i teknologjive kyçe. Nëse aleanca do të shembej, vende si Gjermania, Japonia dhe Polonia mund të armatoseshin me ritme të shpejta — madje edhe me armë bërthamore — çka do ta bënte botën një vend shumë më të rrezikshëm.
Teksti mbyllet me një parashikim të zymtë: mbrojtja amerikane për dekada i ka “përkëdhelur” europianët, të cilët u fokusuan në një jetë të mirë në vend të fuqisë së ashpër. Ajo kohë ka përfunduar.
“Liderët europianë duhet të përpiqen ta ngadalësojnë erozionin e aleancës transatlantike, por duhet të përgatiten edhe për ditën kur NATO nuk do të ekzistojë më,” përfundon The Economist.











