Një akuzë tronditëse i është dërguar FIFA-s: “Duan të vrasin tre milionë qen përpara Kampionatit Botëror”

Aktivistja e njohur botërisht, Jane Goodall, ka bërë deklarata tronditëse dhe i ka dërguar një ankesë FIFA-s, duke akuzuar Marokun se synon të vrasë tre milionë qen përpara organizimit të Kampionatit Botëror të Futbollit.

Jane Goodall iu drejtua me fjalë të rënda Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom. Ajo shkroi një letër të hapur të fuqishme duke kërkuar një reagim të menjëhershëm për shkak të gjuetisë së vazhdueshme të qenve endacakë në Marok.

Maroku do të jetë pritës i Kampionatit Botëror historik të Futbollit në vitin 2030. Kjo do të jetë hera e dytë që Botërori zhvillohet në tokën afrikane, por për herë të parë ai do të luhet në tre kontinente të ndryshme.

Pritësit kryesorë të Kampionatit Botëror do të jenë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa një ndeshje do të zhvillohet në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai, për të festuar përvjetorin e themelimit të Kampionatit Botëror.

Megjithatë, sipas fjalëve tronditëse të Goodall, të cilat i ka paraqitur FIFA-s, marokenët planifikojnë të vrasin tre milionë qen endacakë, për të garantuar “sigurinë e tifozëve” gjatë Kampionatit Botëror.

“U tmerrova kur pashë që autoritetet marokene kishin filluar vrasjen masive të qenve endacakë, për të bërë vendet e Kampionatit Botëror më të ‘sigurta’ për vizitorët e huaj,” shkroi Goodall.
Kjo aktiviste paralajmëroi se FIFA do të bëhej bashkëfajtore në këtë akt barbar nëse nuk merr masa të menjëhershme.

“Tifozët e futbollit, prej të cilëve shumë janë dashamirës të kafshëve, do të reagojnë me thirrje për bojkotimin e vendit dhe do të ushtrojnë presion mbi sponsorët që të tërhiqen. Nëse FIFA nuk ndërhyn, ajo do të njihet si bashkëpunëtore në këtë akt të tmerrshëm barbarie,” shtoi ajo.

Goodall i bëri thirrje FIFA-s që të pezullojë organizimin e Kampionatit Botëror në Marok, deri sa “vrasjet të ndalen”.

Shumë figura të njohura dhe ekspertë në fushën e veterinarisë i kanë bërë thirrje FIFA-s që të ndërhyjë dhe t’i bashkohen nismës së Koalicionit Ndërkombëtar për Kafshët (IAWPC), për të vendosur kushte të detyrueshme për mbrojtjen e kafshëve në Marok, ose ndryshe t’i hiqet e drejta për të organizuar Kampionatin Botëror.

Kategoritë
Sport