Në Shkup vazhdojnë protestat kundër propozimit francez, nga nesër “bllokada në mbarë vendin”

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë protestës deklaroi se çfarëdo që të ndodhë më tej me “tradhtinë dhe katastrofën kombëtare të përgatitur nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, VMRO-DPMNE-ja në Kuvend nuk do ta pranojë”

Në ditën e gjashtë të protestës së qytetarëve kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), protestuesit paralajmëruan bllokada në mbarë vendin nga nesër pasdite, raporton Anadolu Agency (AA).

Në marshin e mbrëmjes së sotme, demonstruesit ndryshuan rrugën. Ata filluan para qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por më pas në vend të Ministrisë së Punëve të Jashtme shkuan në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë. Nga aty vazhduan drejt Shtëpisë ligjvënëse, ku kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për propozimin.

Protestat mbështeten nga opozita më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, si dhe nga “E Majta” (Levica). Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë protestës deklaroi se çfarëdo që të ndodhë më tej me “tradhtinë dhe katastrofën kombëtare të përgatitur nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, VMRO-DPMNE-ja në Kuvend nuk do ta pranojë”.

“Sot kemi marrë informacionin se qeveria ka vendosur për kornizën e negociatave dhe atë dokumentin e dytë që paraqet konkluzionet e Këshillit që praktikisht janë pjesë e marrëveshjes që qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e ka bërë me Sofjen zyrtare, e kaluan sot në parlament, edhe pse nuk e shohim logjikën pse në parlament kur bëhet fjalë për punët ndërqeveritare, pra qeveria është ajo që merr vendimin në gjithë këtë. Nëse qeveria merr vendim për të cilën ne fuqishëm protestojmë dhe themi se ajo duhet të jetë ‘jo’, atëherë parlamenti është ai që vendos, ndërsa unë ju siguroj fuqishëm se VMRO-DPMNE-je nuk do të mbështesë asnjë ndryshim kushtetues”, deklaroi Mickoski.

Protestat kaluan pa incidente dhe pa trazira më të mëdha.

Në protestat e djeshme, gjatë lëvizjes së demonstruesve nga qeveria drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndodhi një incident gjatë të cilit ka pati të shtëna me armë në ajër. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se personi është arrestuar.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, u bëri thirrje organizatorëve të protestave të mbajtura në Shkup që të marrin përgjegjësi dhe që të protestojnë me dinjitet dhe pa dhunë. Ai dënoi ashpër mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit nga civilët dhe qytetarët e vendit.

Më 30 qershor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me Qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, ditët e kaluara ka theksuar se propozimi aktual i Francës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është i njëjti me atë të mëparshëm dhe se, sipas tij, përmban “të gjitha kërkesat bullgare në aspektin e gjuhës, historisë dhe identitetit”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e palës maqedonase dhe se parasheh një pranim të qartë të gjuhës maqedonase.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni