Ministrja Haradinaj-Stublla citon Rugovën: Një konfederatë me Shqipërinë është çështje e ardhmërisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) duket se po e përforcon qëndrimin e saj se do të thërras referendum për bashkim me Shqipërinë në vitin 2025, nëse deri atëherë prolongohet qëllimisht njohja universale e Republikës së Kosovës dhe tentohet që në raport me Serbinë – në vend të njohjes së pakusht të pavarësisë sonë nga ana e saj – të krijohet konflikt i ngrirë.

Pas deklaratave të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili para pak ditësh deklaroi se “Nëse nuk do të ketë përparim brenda pesë viteve në Kosovë, nuk kemi me pranu me mbet as konflikt i ngrirë e as nuk kemi me pranu me na nda, por kemi me shku në referendum për bashkim me Shqipërinë!”, sot ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga radhët e AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në përkujtim të dr.Ibrahim Rugovës, tërthorazi paralajmëroi se një qëndrim i tillë mund të bëhet realitet nëse nuk lëvizet para në përmbylljen e njohjes universale me Kosovën.

“Rugova: Një konfederatë me Shqipërinë është çështje e ardhmërisë. Aktualisht popullsisë së Kosovës i intereson vetëm shteti i pavarur dhe ky do të ishte dashur të bëhej realitet më mirë dje se nesër” – ky është postimi që ka bërë ministrja Haradinaj-Stublla, në përvjetorin e shuarjes së ish Presidentit Rugova që ngërthen një mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm për të ardhmen e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi