“Kryqëzori humbi ekuilibrin gjatë lëvizjes në drejtim të portit të caktuar, si pasojë e dëmtimit të trupit nga shpërthimi i municioneve gjatë zjarrit. Ajo u fundos në një det të trazuar nga stuhia”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse njoftoi se kryqëzori i marinës ruse “Moskva” u fundos.
Bëhet fjalë për kryqëzorin e flotës ruse në Detin e Zi, për të cilin forcat ukrainase më parë thanë se e kishin goditur me një raketë “Neptun”.
“Kryqëzori humbi ekuilibrin gjatë lëvizjes në drejtim të portit të caktuar, si pasojë e dëmtimit të trupit nga shpërthimi i municioneve gjatë zjarrit. Ajo u fundos në një det të trazuar nga stuhia”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Ekuipazhi i kryqëzorit u evakuua në anijet e Flotës së Detit të Zi në atë rajon.
– Anija u shpall në gjendje lundruese
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi më herët se nga zjarri në anije ka shpërthyer municioni dhe se pas një kohe të caktuar zjarri është vënë nën kontroll dhe shpërthimet e municioneve janë ndalur.
Në deklaratën ku thuhej se anija ishte në gjendje lundruese, bëhej e ditur se kishin nisur hetimet për shkakun e zjarrit dhe se kishte nisur puna për tërheqjen e anijes në port.
Autoritetet ukrainase kishin njoftuar se më 13 prill kishin goditur kryqëzorin rus “Moskva” në Detin e Zi me një raketë “Neptun” dhe se në anije kishte rënë zjarr. Supozohet se në ekuipazhin e anijes ishin rreth 510 persona.
Mediat ukrainase raportuan se kryqëzori “Moskva”, i cili sulmoi ushtarët ukrainas në Ishullin e Gjarpërinjve në ditët e para të luftës ruso-ukrainase, pengoi anijet ukrainase të largoheshin nga bregu gjatë aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.
Kryqëzori “Moskva”, një nga anijet kryesore të marinës ruse e furnizuar me raketa, u lëshua në përdorim në vitin 1979 dhe u rinovua më 2020.
Njihet si një anije e pajisur me 16 raketa antianije me rreze veprimi prej 700 kilometrash, si dhe me sistemin raketor kundërajror S-300.
Në vitin 2015, kjo anije udhëhoqi njësinë e përhershme operative të marinës ruse në Mesdhe dhe shërbeu për të mbrojtur bazën ajrore ushtarake ruse Hmeimim në Siri.