Ministri kosovar i Mbrojtjes, Maqedonci: Fokusi ynë mbetet anëtarësimi në NATO

“Në aspektin ushtarak, jam i vetëdijshëm që FSK-ja ka plotësuar dhe plotëson të gjitha standardet që një vend i NATO-s i ka”, tha ministri i ri i Mbrojtjes i Kosovës

Ministri i ri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, ka thënë se fokusi i Republikës së Kosovës dhe ministrisë që tani ai udhëheq mbetet anëtarësimi në NATO, raporton Anadolu.

Në konferencën e parë për media të tij si ministër, Maqedonci ka folur për objektivat kyç të ministrisë duke theksuar se do të punojnë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në përputhje me standardet e aleancës veriatlantike.

“Gjithmonë, fokus dhe qëllim yni është integrimi në NATO, porse kjo do të jetë rrugë që jo gjithmonë varet edhe prej përgatitjeve tona. Anëtarësimi në NATO varet edhe nga shumë faktorë të tjerë, ndër tjera është prej faktorëve të njohjeve, pra kemi ende vende mosnjohëse brenda NATO-s të cilat vazhdojnë të hezitojnë ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm. Duhet ditur që NATO është pikë së pari organizatë politike. Në aspektin ushtarak, jam i vetëdijshëm që FSK-ja ka plotësuar dhe plotëson të gjitha standardet që një vend i NATO-s i ka”, theksoi ai.

Maqedonci tha se në aspektin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, dy shtylla do të jenë për të cilat do të fokusohet.

“Ndërtimi i kapaciteteve të reja luftarake dhe mirëmbajtja e kapaciteteve aktuale të cilat i kemi në dispozicion që lidhen me mbështetjen ushtarake për autoritetet civile”, theksoi Maqedonci, duke thënë se investimet kapitale në FSK janë një nga prioritetet e kësaj ministrie po ashtu.

Tutje, ai tha se nga objektivat e ministrisë do të jenë edhe fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike, duke implementuar politikat e mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi në aspektin strategjik me aleatët, në veçanti me ShBA-në, por,edhe aleatet e tjerë mbështetës.

Duke folur për operacionet e FSK-së jashtë Kosovës, Maqedonci përmendi edhe rastin kur pjesëtarë të FSK-së morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Türkiye, gjë për të cilën tha se “kemi marrë shumë merita nga shteti mik Türkiye”.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi