Sot në Podgoricë po mbahet Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), duke i dhënë fund kryesimit njëvjeçar të Malit të Zi të nismës rajonale.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se bashkëpunimi rajonal, krahas integrimit evropian, janë prioritet kyç i politikës së jashtme të Malit të Zi, raporton Anadolu.
Millatoviq është nikoqir i Samitit të sotëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Podgoricë, me çka përmbyll kryesimin njëvjeçar të Malit të Zi të nismës rajonale.
“Përgjigja e zyrtarëve të lartë në këtë numër është një konfirmim i suksesit të kryesimit malazez. Sot përmbyllim një numër të madh aktivitetesh. Në fokus ishin bashkëpunimin rajonal, ekonomia e gjelbër, lufta kundër krimit të organizuar dhe siguria energjetike”, tha Millatoviq në konferencën për media.
Ai tha se janë arritur disa synime të rëndësishme.
“Sarajeva dhe Kishinau morën statusin e kandidatit, Shkupi dhe Tirana hapën negociatat, Zagrebi hyri në Eurozonë. Tre vjet më parë, Mali i Zi përjetoi ndryshimin e parë demokratik të qeverisë, pavarësisht se kishte futur sistemin shumëpartiak në vitin 1990”, tha Millatoviq.
Ai tha se këto suksese të përbashkëta paraqesin konfirmimin e hapave të rëndësishëm përpara për rajonin tonë, gjë që u vërtetua edhe me miratimin e sotëm të deklaratës së përbashkët.
Më 1 korrik, Maqedonia e Veriut do të marrë kryesimin e SEECP nga Mali i Zi.
“Gëzohemi president Pendarovski që po jua dorëzojmë drejtimin e kësaj iniciative”, tha Millatoviq.
Ai tha se takimi i sotëm ishte një mundësi tjetër për të treguar mbështetjen për Ukrainën për shkak të sulmit rus.
“Jam i nderuar që Mali i Zi arriti të mbledhë një numër kaq të madh të liderëve në një tryezë. Dërguam një mesazh se jemi të përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe për të ardhmen evropiane”, përfundoi Millatoviq.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se gjatë kryesimit vendi i tij do të fokusohet në parimet e përcaktuara në aktet themeluese të nismës rajonale.
“Slogani është ‘Kapërcimi i ndarjeve dhe ndërtimi i besimit’. Do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur stabilitet dhe prosperitet më të madh rajonal”, deklaroi Pendarovski para gazetarëve.
Ai theksoi se parakushti kryesor për përparimin e rajonit është integrimi i tij në BE.
“Tashmë është formuar një grup pune që do të përpilojë planin e aktiviteteve të procesit. Jemi plotësisht të përgatitur, kemi qenë pjesë e këtij procesi edhe më parë dhe kjo nuk është e panjohur për ne”, tha ai.
Në samit marrin pjesë zyrtarë të lartë të pjesëmarrësve të SEECP: Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri i Moldavisë Oleg Serebrian, ministri i Jashtëm i Türkiye-s Hakan Fidan, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit Evropian për Punët e Jashtme, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovenisë.







