Me mendje tek Arsenali, PSG-ja mposhtet nga Strasbourgu

Paris Saint-Germaini ka pësuar humbje me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Strasbourgut në kuadër të javës së 32-të në Ligue 1. 

Në këtë sfidë që tashmë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe për PSG-në pasi u shpallën kampionë javë më parë, Luis Enrique vendosi ta pushojë ekipin e parë. 

Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 20-të pas një autogoli të Lucas Hernandez që realizoi në portën e tij për 1-0. 

Pak minuta pa përfunduar pjesa e parë, Strasbourg e gjeti edhe golin e dytë përmes Habib Diarra që realizoi për 2-0 në minutën e tretë shtesë. 

Me të filluar pjesa e dytë, PSG-ja ngushtoi diferencën me anë të Bradley Barcola, i cili në minutën e 46-të realizoi për 2-1. 

Sidoqoftë, ky gol ishte gjithçka që parisienët ia dolën të bëjnë në këtë sfidë, pasi nuk arritën ta evitojnë humbjen deri në fund. 

Pas kësaj humbje PSG-ja mbetet në kuotën e 78 pikëve dhe tani e gjithë vëmendja e tyre do të përqendrohet tek dueli i kthimit ndaj Arsenalit të mërkurën.

Kategoritë
LajmeSport