Gjashtë personat që ndërruan jetë pasditen e së hënës pas një shkëmbimi me armë zjarri në Artemidë të Greqisë, janë turq dhe jo shqiptarë, siç raportuan mediat vendase fillimisht. Sipas informacioneve nga autoritetet, viktimat posedonin kartat e identitetit franceze.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të së hënës ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane. Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij. Asnjë nga gjashtë viktimat nuk u gjet me precedentë penalë në Greqi.
Hetuesit mjeko-ligjorë janë në kërkim të provave për të kuptuar më shumë se si ndodhi ngjarja dhe identiteti i autorëve, dhe kanë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja. Autoritetet greke kanë bërë kërkesë për ndihmë edhe pranë Interpolit dhe po punojnë me kolegët gjermanë për të identifikuar targat.
Për momentin, policia po e trajton ngjarjen si larje hesapesh mes bandave kriminale të lidhura me drogën.












