“Qëllimi është… të diskutohet plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një veprim vërtet konkret të BE-së në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve, por edhe të tregut të përbashkët evropian”, tha Kovaçevski
Maqedonia e Veriut është nikoqire e takimit të liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian, raporton Anadolu.
Në takim, përveç kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, marrin pjesë edhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Milojko Spajiq, kryeministër i Malit të Zi, Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për negociatat e fqinjësisë dhe zgjerimit në Komisionin Evropian, si dhe James O’Brien, ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit i për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Përmes video-lidhjes, në takim do të marrë pjesë edhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa të pranishëm janë edhe përfaqësues të më shumë organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve.
Kovaçevski në deklaratën e tij para fillimit të takimit u shpreh se ky është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Qëllimi është, siç e kemi paralajmëruar, të diskutohet plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një veprim vërtet konkret të BE-së në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve, por edhe të tregut të përbashkët evropian”, tha Kovaçevski.
Vuçiq, nga ana e tij, tha se për të është e rëndësishme çdo ndihmë që mund t’u ofrohet kompanive dhe bizneseve.
“Besoj se takimi jonë i sotshëm, si dhe takimet që kemi mbajtur mbrëmë, janë të rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e gjithë rajonit. Kemi biseduar me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së për planin e rritjes dhe do vazhdojmë diskutimin edhe sot”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, Rama tha se plani parasheh qasje në tregun evropian, gjë që deri tani ka qenë e mundshme vetëm për vendet anëtare.
“Më duhet të them se ky është një takim me të vërtetë shumë i rëndësishëm pasi jemi këtu për të bërë bashkë mendimet tona me përfaqësuesit e BE-së dhe administratës amerikane për një hap të madh që duhet ta ndërmarrim për t’iu afruar BE-së”, u shpreh Rama.
Po ashtu edhe Kurti u shpreh se vendi i tij në takim do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, në qendër të të cilave është reforma në administratën publike.
“Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merren varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që tregojmë”, tha Kurti.
Deklaratë për media kishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili u shpreh se plani i rritjes është një sinjal i fuqishëm për kompanitë.
“Mali i Zi, si të gjithë të tjerët, është i kënaqur që është pjesë e këtij koncepti. Plani i rritjes së BE-së paraqet një mundësi të madhe për të gjithë ne. Mezi presim t’ia fillojmë dhe dëgjojmë se është e mundur ta kemi që nga ky vit dhe mendoj se është një sinjal shumë i rëndësishëm jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për bizneset që duan të investojnë në Ballkanin Perëndimor”, tha Spajiq.
Zyrtari evropian Koopman u shpreh se nëse zbatohet koncepti, ka potencial për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të rajonit.
“Është shumë inkurajuese të shohësh sesi rajoni e ka përqafuar këtë koncept, po punon shumë për reformat që do të ndihmojnë në lançimin e kësaj rritjeje dhe tashmë është shumë aktivisht i angazhuar. Sot, liderët do të diskutojnë tregun e përbashkët rajonal dhe integrimin e rajonit në mënyrë progresive në tregun tonë të brendshëm”, tha Koopman.
Ndihmës-sekretar amerikan O’Brien gjithashtu përshëndeti përfitimet nga plani i rritjes.
“Plani i rritjes së BE-së nuk është si ndonjë plan që kemi parë deri tani. Plani nuk thotë se duhet të bëni reforma dhe do të vlerësoheni më vonë. Plani thotë se nëse bëni reforma të caktuara, atëherë kompanitë tuaja dhe njerëzit tuaj do të marrin katër liritë e BE-së shumë shpejt”, tha O’Brien.