Lëshohet në përdorim kufiri “One-stop-shop” midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Konceptin “One-stop-shop”, që paraqet menaxhim të përbashkët të kontrolleve kufitare dhe doganore me një ndalesë, u lansua në pikën kufitare Qafë Thanë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një aktivitet të përbashkët lansuan konceptin “One-stop-shop”, që paraqet menaxhim të përbashkët të kontrolleve kufitare dhe doganore me një ndalesë në pikën kufitare Qafë Thanë, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në ngjarje fjalim kishin kryeministrat Kovaçevski dhe Rama, si dhe zv.kryeministrat Artan Grubi dhe Belinda Balluku, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministra të të dyja qeverive, deputetë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve për menaxhimin e doganave të dy vendeve.

Kovaçevski në fjalën e tij theksoi hapat konkretë të ndërmarrë nga dy qeveritë në drejtim të lidhjes së qytetarëve dhe ekonomive të dy vendeve.

Ai tha se projekti “One-stop-shop” është një tjetër konfirmim i përkushtimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shqipërisë për të forcuar proceset ekonomike, lehtësimin e procedurave doganore, si dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe kapitalit.

“Sot mundësojmë një fluks më të shpejtë të qytetarëve tanë midis dy vendeve dhe një fluks më të shpejtë të kompanive që transportojnë produkte në pikën më të madhe kufitare midis dy vendeve. Mundësimi i fluksit të njerëzve dhe kapitalit rrit njëkohësisht lidhjet mes njerëzve, komunikimin mes njerëzve”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, kjo lehtëson punën e 11 mijë kompanive nga Maqedonia e Veriut që janë të orientuara drejt eksportit, që janë të orientuara drejt tregtisë me vendet e tjera.

“Në këtë mënyrë ne mundësojmë një qasje më të lehtë në portet në Shqipëri. Në këtë mënyrë mundësojmë qasje më të lehtë në vendet turistike në Shqipëri, por edhe në vendet turistike në Maqedoninë e Veriut. Vendet më të bukura janë këtu, vetëm pak kilometra nga ky vendkalim kufitar”, tha Kovaçevski.

Zv.kryeministri Grubi tha se qeveria do të vazhdojë me aktivitetet edhe në pikat e tjera kufitare.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore inkurajuan më shumë procese që sollën më shumë përfitime me interes të menjëhershëm për qytetarët në rajon. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë vetëm dy vende mike, të dy vendet kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ndajnë të njëjtat prioritete dhe synime të politikës së jashtme”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
LajmeRajoni