Kurti në Krushë të Madhe: Në vendin që pa shumë shkatërrim, po hapim dyert e një shkolle të re

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, sot mori pjesë në përurimin e Shkollës së re Fillore dhe të Mesme të Ulët “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe, e që përkon me Ditën e shkollës.

Duke e konsideruar këtë si festë të dyfishtë, Kurti tha se në Krushën e Madhe të dhimbjes së madhe, sot po i bashkon gëzimi.

“Fëmijët e lindur në liri, po festojnë të lirë. Kjo shkollë e mban emrin e një atdhetari tonë të madh, të lindur këtu, në Krushë të Madhe, pra Bajram Currit, të cilit në vitin që shkoi e kishim 160-vjetorin e lindjes. Si veprimtar i çështjes sonë kombëtare që u angazhua edhe për shkollën shqipe, duke ndihmuar për themelimin e klubeve e shkollave shqipe në Kosovë dhe duke mbrojtur alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. E sot, bashkë po përurojmë një shkollë të re në vendlindjen e tij të dashur për të gjithë neve”, tha Kurti.

Para të pranishmëve, Kurti, duke thënë se ndihet i lumtur që po merr pjesë në hapjen e shkollës së re, e quajti këtë “një dëshmi e vendosmërisë së tyre të palëkundur, për të rindërtuar jetën, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të vegjlit e të rinjtë e Krushës së Madhe”.

“Në këtë vend që pa shumë shkatërrim, sot po hapim dyert e një ndërtese të re shkollore”.

Ai vlerësoi se arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet për të ardhmen.

“Për ta ngritur cilësinë dhe për të përmirësuar kushtet arsimore, e kemi rritur buxhetin e arsimit edhe në këtë vit. Tanimë janë siguruar 18 milionë euro për investime fillestare për vitet e ardhshme në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në infrastrukturën përkatëse në shkolla”.

Kurti premtoi se me strategjinë qeverisëse për arsimin, të miratuar nga Qeveria e tij, për periudhën 2022-2026, parashihen investime domethënëse në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe teknologji të informacionit e të komunikimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon me një qasje shumëdimensionale për ta forcuar shtetin, duke forcuar arsimin”.

Siç njofton ZKM, objekti i ri i shkollës ka një sipërfaqe prej rreth 5000 m², me 23 klasa mësimi, 2 dhoma për parafillor me hyrje të veçantë, laboratorin, bibliotekën, dhomat e leximit dhe klasa e informatikës, të pajisura me inventar bashkëkohor.

Kategoritë
LajmeVendi