Kurti flet për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”: Rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioritet për këtë vit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për prioritetet për vitin 2024.

Kurti tha edhe këtë vit rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë ndër prioritetet e Qeverisë.

Kurti foli për edhe për kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit raketor “Javelin” nga SHBA-të, teksa shtoi se  krahas blerjeve e investimeve tjera, prioritet në fushën e mbrojtjes do të jetë edhe bashkëpunimi me aleatë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Luftën kundër korrupsionit këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin civil dhe funksionalizimit të task-forcës anti-korrupsion dhe të ekipeve të përbashkëta të hetimeve. Adresimi i krimeve të luftës do të vijojë tutje me funksionalizimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, por edhe me miratimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale. Më 2023 buxheti për mbrojtjen ishte më i larti ndonjëherë, mbi 200 milionë euro. Numrin e ushtarëve e rritëm, investimet në armatim po ashtu e ushtrinë e pajisëm edhe me dronët luftarakë “Bayraktar”. Edhe tash në këtë vit rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioritet i parë i Ministrisë së Mbrojtjes. Ne morën konfirmimin në fillim të vitit se Departamenti amerikan i Shtetit ka pranuar kërkesën tonë për të blerë sistemin anti-tank raketor “Javelin”. Përgjatë vitit krahas blerjeve e investimeve tjera prioritet do të jetë edhe bashkëpunimi me aleatë.”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Pak ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net,  konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Në përgjigjen e DASH-it  u theksua mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

DASH-i po ashtu tha se shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”,u tha në përgjigjen e DASH-it për Reporteri.net.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi