Në një deklaratë për mediat në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian(EPC), kryeministri Rama tha se situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, ndërkohë në një deklaratë për mediat ai tha se EPC-ja është platformë e një ndërveprimi shumë të rëndësishëm, raporton Anadolu.
Kryeministri Rama ka theksuar se fryma e EPC-së duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Evropian (BE).
Rama ka folur edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, ku ka theksuar se duhen marrë masa dhe sipas tij është shumë e rëndësishme që ka vullnet shumë të fortë dhe ka lëvizje brenda NATO-s për të përforcuar misionin e KFOR-it në veri.
“Kufiri (në veri të Kosovës), aty është bërë tërësisht poroz, transparent dhe të gjitha llojet e armatimeve, të gjitha llojet e trafiqeve të tjera kriminale po ndodhin. Në të njëjtën kohë, shpresojmë fort që do të rinisë dialogu”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse është i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, Rama tha se, “Jam shumë i shqetësuar. Jam shumë i shqetësuar dhe të gjithë jemi shumë të shqetësuar pasi është një situatë shumë, shumë e rrezikshme dhe ka ardhur tanimë në një pikë, ku vit pas viti rreziku potencial është rritur. Aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton kryesisht pakica serbe, përputhen tërësisht me një agjendë politike dhe me shumë nacionalizëm, kështu që është shumë, shumë e rrezikshme”.
I pyetur nëse mendon se është koha që BE-ja të marrë masa edhe kundër Serbisë, Rama tha, “Jo vetëm e mendoj, por për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk është linjëzuar me deklaratën e politikës së jashtme të BE-së, saktësisht për shkak të kësaj.”
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në dakordësi të plotë me BE-në dhe SHBA-në në raport me nevojën që autoritetet kosovare të ecin përpara dhe të jenë pro-aktive dhe konstruktive në dialog dhe nga këndvështrimi ynë të përfitojnë maksimalisht nga plani franko-gjerman që është absolutisht një hap mjaft i rëndësishëm përpara dhe një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë vetëm fakti që Republika e Serbisë e shpalli ditë zie kombëtare për të mbajtur zi për pjesëtarët e atij grupi kriminal paraushtarak që vrau policin, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Evropian që të çohej dhe të thoshte kjo nuk është evropiane. Kjo nuk është e pranueshme. Kjo nuk është drejtësi dhe është e ndëshkueshme”, tha Rama.
EPC-ja synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.












