Kroaci: Mbi 3,7 milionë qytetarë votojnë për Parlamentin e ri

Në Kroaci janë hapur qendrat e votimit ku më shumë se 3,7 milionë votues do të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë ata në katër vitet e ardhshme dhe kush do të ketë mundësinë të formojë një qeveri të re dhe të qeverisë vendin.

Në këto zgjedhje parlamentare janë mbi 120 mijë votues më pak se katër vite më parë. Me vendbanim në Kroaci janë regjistiruar 3,511,000 votues aktiv, ndërsa 222,300 votues janë pa vendbanim në Kroaci.

Në garën për përbërjen e 11-të të parlamentit kroat janë 2.302 kandidatë në 165 lista.

Sot në Kroaci është ditë jopune dhe qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00.

Zgjedhjet në qendrat e votimit në selinë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kroacisë zgjasin dy ditë dhe filluan të martën. Shtetasit kroatë pa vendbanim në Kroaci zgjedhin tre nga gjithsej 151 anëtarë të parlamentit, në zonën e 11-të zgjedhore, e cila përfshin gjithsej 41 vende.

Nga 110 vendvotime në diasporë, shumica janë në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 43, dy më pak se në zgjedhjet e mëparshme të mbajtura në vitin 2020 dhe votimi zhvillohet në shtatë qytete në BeH. Më shumë vendvotime janë në Mostar, 22, në Vitez, pesë në Sarajevë, katër në Tuzla, dy në Banja Luka, dhe një në Livno.

Janë hapur po ashtu 12 vendvotime në Gjermani, katër vendvotime janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi, dhe tre vendvotime janë caktuar për Italinë dhe Serbinë – një në Beograd, dy në Suboticë. Dy vendvotime janë secila në Mal të Zi, Austri, Hungari, Zvicër dhe Kanada, ndërsa një qendër votimi do të hapet në të gjitha vendet e mbetura.

Minoritetet përfshihen në zonën e 12-të zgjedhore, ku zgjidhen tetë përfaqësues të minoriteteve. Serbët, si pakica më e madhe kombëtare në Kroaci, kanë të drejtën e tre përfaqësuesve parlamentarë. Kuvendi ka një përfaqësues të pakicave kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.

Kategoritë
LajmeRajoni