Kosovë, qeveria merr vendim për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet

Sipas vendimit, “dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale, ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 59-të në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë edhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur komunikata për media e qeverisë në detyrë, në mesin e vendimeve që u miratuan në mbledhjen elektronike ka qenë edhe ndarja e buxhetit prej 1 milionë eurove për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e javës së parë të janarit të këtij viti.

“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve në komunat e prekura nga vërshimet e ndodhura në javën e parë të janarit të vitit 2021. Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion euro që do të përdoren për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në objektet e banimit”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në vazhdim Ministria e Pushtetit Lokal do të caktojë kriteret për kompensim dhe do të themelojë komision ndërministror për verifikim, vlerësim dhe koordinim të procesit të ndarjes së mjeteve nëpër komuna.

Sipas vendimit, “dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale, ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për zbatimin e masës për Skemat Pensionale dhe Sociale, të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Për këtë qëllim janë ndarë mjete ne shumën prej 21 milionë euro, ku 7,5 milionë nga këto mjete do të ndahen për dyfishimin e pagesave për ndihmë sociale, ndërsa 13,5 milionë për pagesën e shtesës prej 30 euro për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa deri në 100 euro.

Për të realizuar kompensimin për angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policorë aktivë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19, qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 1,6 milion eurosh.

Ndërkaq, me një vendim tjetër, janë ndarë 8 milionë euro për kompensimin e shtesave mujore mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor për muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021.

Kategoritë
LajmeVendi