Kosovë, Lista Serbe paraqet ankesë në Gjykatën Kushtetuese

“Ne theksojmë se nuk na duhen pozita ministrore vetëm për hir të vendeve të caktuara, por si qëllim për të përmirësuar kushtet në të cilën jetojnë njerëzit tanë në Kosovë”, thuhet në njoftim

Partia politike nga komuniteti serb në Kosovë, Lista Serbe (LS) ka apeluar në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të emëruar më 22 mars të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi për media nga Lista Serbe, bëhet e ditur se ky subjekt, të cilit i është ndarë vetëm një ministri në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar t’i ketë dy ministri.

Lista Serbe pretendon se me Kushtetutë të Kosovës atyre u takojnë dy ministri, meqë tashmë përpos 10 vendeve të rezervuara në Kuvend, ata kanë në grupin e tyre parlamentar edhe një deputet nga Partia Unike Gorane, duke u bërë gjithsej 11 deputetë.

“Apeli konteston vendimin e Kuvendit në zgjedhjen e Qeverisë së Prishtinës më 22 mars, 2021, ku qytetarëve serbë iu dha të administrojnë vetëm një ministri, ndonëse sipas Kushtetutës është e obliguar t’u ndahen dy ministri. Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendos në përputhje të drejtave kushtetuese për respektimin e të drejtave të qytetarëve serbë, por edhe komuniteteve tjera joshumicë”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe thotë se “serbëve u është mohuar përfaqësimi fer në institucionet e nivelit qendror, me të gjitha aktet ligjore”.

“Ne theksojmë se nuk na duhen pozita ministrore vetëm për hir të vendeve të caktuara, por si qëllim për të përmirësuar kushtet në të cilën jetojnë njerëzit tanë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Deputetët e Listë Serbe kishin paralajmëruar ankesë në Kushtetuese qysh më 22 mars kur u zgjodh Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, ka thënë se “Kurti ka shkelur Kushtetutën e vendit me emërimin e vetëm një ministri nga Lista Serbe”.

Kur Kurti propozoi që Goran Rakiq të jetë ministër për Kthim dhe Komunitete, i cili më vonë edhe u emërua si i tillë, Simiq reagoi duke thënë se edhe një ministër duhet t`i takoj Listës Serbe.

“I nderuari mandatar, rasti i parë për veprim dhe menjëherë e shkelët Kushtetutën. E dini mirë se Lista Serbe me 11 nënshkrime deputetësh ka të drejtë për 2 ministra nga komunitetet jo-shumicë dhe kjo jo si dhuratë e juaja apo e dikujt tjetër, por si diçka që na kanë dhënë qytetarët duke votuar në mënyrë legjitime dhe ligjore për Listën Serbe në zgjedhje”, ka thënë Simiq.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të cilat u mbajtën më 14 shkurt, Lista Serbe ka marrë 5.09 për qind apo 44.407 vota.

Kategoritë
LajmeVendi