Komandanti i KFOR-it takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq

Komandanti Ristuccia ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Beograd për të diskutuar situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it në përputhje me mandatin e tij dhe në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Anadolu.

Siç njofton KFOR, komandanti Ristuccia ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore.

Pas takimit me presidentin Vuçiq, komandanti i KFOR-it pati rastin të takojë gjeneralin Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë. Ata rinovuan bashkëpunimin e tyre dhe ranë dakord se të gjitha palët duhet të ulin tensionet.

Tutje, KFOR-i ka bërë të ditur se “është i gatshëm të përballet me çdo lloj skenari dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren”, ndërsa komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.

KFOR-i vazhdon të operojë duke zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Nga 26 maji, serbët lokalë në komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave për të ushtruar detyrat e kryetarëve të zgjedhur me votë.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës në këto protesta, 30 pjesëtarë të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe 52 serbë lokalë u lënduan. Dhunën në veri ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e ka dënuar rëndë menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kategoritë
LajmeRajoni