“Izraeli shqetësohet për qëndrimin e Bidenit rreth Iranit dhe Palestinës”

Gazeta izraelite përmend 11 zyrtarë hebrejo-amerikanë të caktuar në pozicione të larta në administratën e presidentit të ri të SHBA-së.

Zyrtarët izraelitë të enjten shprehën shqetësim rreth planit të administratës së re të SHBA-së për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin si dhe për t’iu rikthyer procesit të paqes palestinezo-izraelite, raportuan të përditshmet izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kjo pasoi pas betimit të Joe Bidenit të mërkurën si presidenti i 46-të i SHBA-së në një ceremoni zyrtare të inaugurimit në Pallatin e Kapitolit ku morën pjesë figura të larta politike dhe ish-presidentë.

Zyrtarët izraelitë, megjithatë, ndjenë lehtësim me njoftimin e administratës së re që të mos tërhiqen nga njohja e Kudsit si kryeqyteti i Izraelit dhe se ambasada amerikane do të mbetet në Kuds.

Vendimi për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit u mor më 6 dhjetor 2017 gjatë presidencës së Donald Trumpit, i cili urdhëroi gjithashtu zhvendosjen e ambasadës amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.

Shqetësimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore

E përditshmja izraelite “Walla”, shkroi se zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite aktualisht po shfaqin “simptoma të të varurve nga droga në procesin e rehabilitimit” pasi u “përkëdhelën” për 4 vjet nga Trump.

“Frika e (kryeministrit Izraelit Benjamin) Netanyahu është e kuptueshme, nuk është për t’u befasuar. Administrata e re e presidentit të SHBA-së, Joe Biden po përpiqet të qetësojë pak këtë frikë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të ketë sukses në këtë”, shton e përditshmja.

“Në një seancë dëgjimore në Kongres, i propozuari për Sekretar të Shtetit, Antony Blinken u përpoq të dërgojë mesazhe sigurie në lidhje me dosjen iraniane, jo vetëm për republikanët, por edhe për Izraelin dhe shtetet e Gjirit, të cilat në javët e fundit kanë kërkuar nga Biden që të mos i kthehet marrëveshjes me Iranin dhe se ai paraprakisht duhet të konsultohet me ta”.

Sipas “Walla”, Blinken siguroi aleatët e Amerikës në Lindjen e Mesme se kthimi në marrëveshjen bërthamore është një proces i gjatë që do të ndodhë me konsultat e tyre.

E përditshmja thekson gjithashtu se Netanyahu ishte i shqetësuar me disa nga zgjedhjet e Bidenit për pozicionet e nivelit të lartë. Këto përfshijnë Robert Malley, i cili konsiderohet për të dërguarin special në Iran, Wendy Sherman, i nominuari i Bidenit për zëvendës sekretar të Shtetit, i nominuari i tij për drejtor të CIA-s dhe këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Këta zyrtarë, në një mënyrë ose në një tjetër, kishin rol në negociatat që çuan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, e cila u kundërshtua ashpër nga Izraeli dhe disa shtete të Gjirit.

Në vitin 2018, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, veprim ky të cilin Izraeli e vlerësoi si “historik”.

Procesi i paqes palestinezo-izraelite nën presidentin Biden

Duke komentuar qëndrimin e mundshëm të Bidenit në procesin e paqes palestinezo-izraelite, ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert në deklaratën e tij për gazetën izraelite “Maariv” tha se ai e mirëpriti njoftimin nga Blinken për angazhimin e administratës së re për zgjidhje me dy shtete, ndërsa nuk tërhiqet nga vendimi i Trumpit për njohjen e Kudsit si kryeqyteti i Izraelit.

“Kjo tregon se ai është një mik i Izraelit”, tha Olmert për Bidenin. “Vetëm ata që nuk janë miq të Izraelit mund të mbështesin largimin nga situata politike siç është, e që është në kundërshtim me interesat e Izraelit”, tha ai duke iu referuar mungesës së përparimit të bisedimeve të paqes izraelito-palestineze.

Olmert theksoi se zgjidhja me dy shtete është “mënyra e vetme” për t’i dhënë fund konfliktit historik midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Partitë e djathta izraelite, të cilat mbizotërojnë në arenën politike, hedhin poshtë zgjidhjen me dy shtete dhe bëjnë thirrje për aneksimin e rreth një të tretës së Bregut Perëndimor nën okupim.

Palestinezët akuzuan administratën e Trumpit si plotësisht e kthyer ndaj Izraelit.

Nën presidencën e tij, vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar pothuajse më shumë se janë katërfishuar. Përveç kësaj, Trump mbështeti normalizimin arabo-izraelit, duke shpërfillur plotësisht marrëveshjen e Oslos të vitit 1993 për zgjidhje me dy shtete.

Nga ana e saj, gazeta “Jerusalem Post” renditi një përmbledhje prej 11 zyrtarësh të lartë hebrejo-amerikanë të caktuar për pozita kyçe në administratën e Bidenit.

Emrat përfshijnë të nominuarën për Sekretare të Thesarit, Janet Yellen, të nominuarin për Sekretar të Shtetit, Antony Blinken, Zëvendës Sekretarin e Shtetit të ardhshëm, Wendy Sherman, të nominuarin për sekretar të Sigurisë së Brendshme, Alejandro Mayorkas, të nominuarin për Prokuror të Përgjithshëm, Merrick Garland dhe shefin e ardhshëm të Zyrës së Shtëpisë së Bardhë, Ronald Klein.

Lista përfshin gjithashtu drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të konfirmuar nga Senati, Avril Haines, i nominuari për Zëvendës Sekretar të Shëndetësisë, Rachel Levin, drejtoreshën e Sigurisë Kibernetike të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Anne Neuberger, Zëvendës drejtorin e CIA-s, David Cohen dhe drejtorin e Politikës së Zyrës së Shkencës dhe Teknologjisë, Eric Lander.

Në një urim përmes video-mesazhit për presidentin dhe nënpresidentin amerikan, Netanyahu shprehu dëshirën e tij për të punuar me Bidenin në vendosjen e paqes midis Izraelit dhe botës arabe si dhe “për t’u përballur me sfidat e përbashkëta, në mesin e të cilave është ajo më kryesorja e kërcënimit që paraqitet nga Irani”.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz gjithashtu përgëzoi presidentin Biden dhe zv?presidenten Harris, përmes një postimi në Twitter: “Unë jam i sigurt se aleanca jonë e palëkundur do të vazhdojë t’u shërbejë qëllimeve më të mëdha të një Lindjeje të Mesme më të qëndrueshme dhe të prosperuar dhe një bote më paqësore”.

Kategoritë
BotaLajme