“International Maarif Schools of Kosova” organizon Panairin e Shkencës në Prishtinë

Nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 12-tën prezantuan punimet e tyre në fushën e lëndëve shkencore, si kimia, fizika, biologjia dhe matematika si dhe teknologjia informative dhe robotikë.

“International Maarif Schools of Kosova” organizoi “Panairin e Shkencës” në sheshin “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës, raporton Anadolu.

Nxënësit e kësaj shkolle ekspozuan punimet e tyre, të cilat ua prezantuan fëmijëve dhe qytetarëve të interesuar.

Arbër Morina, zëvendësdrejtor i “International Maarif Schools of Kosova” në një deklaratë për AA se “Ky ‘Panair i Shkencës’ është kurorëzimi i punës së nxënësve gjatë vitit të kaluar shkollor”.

“Pjesëmarrësit janë nxënës nga klasa e 6-të deri në të 12-tën dhe punimet e tyre janë nga fusha e lëndëve shkencore, si kimia, fizika, biologjia dhe matematika. Gjithashtu kemi një seksion për teknologjinë informative dhe robotikë, pastaj gjuhën shqipe dhe seksionin parashkollor, të cilët janë përgatitur në nivelin e tyre në kuadër të planit dhe programit të tyre”, thotë Morina.

Ai thekson se rezultatet e nxënësve të kësaj shkolle ndriçuan imazhin jo vetëm të shkollës së tyre, por edhe të mbarë Kosovës.

Ron Shllaku, nxënës i klasës së 7-të prezantoi punën e tij, një krah robotik që lëviz me presion. Ron fitoi dy medalje të arta në Olimpiadën Ndërkombëtare STAND vitin e kaluar.

“Kam marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar STAND dhe finalja ishte në Paris të Francës. Aty qëndruam pesë ditë dhe fitova dy medalje të arta, në kodim dhe matematikë”, tha Roni.

Në Kosovë shkolla Maarif ka dy degë, në Prishtinë dhe Prizren, ku mësimin e ndjekin rreth 750 nxënës. Kjo shkollë bashkëpunon me shumë universitete turke në mënyrë që nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta të kenë mundësi të njihen me ofertat për të studiuar në Türkiye, për të cilat kanë zbritje.

Nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 12-të e ndjekin mësimin në gjuhën angleze, ndërsa nga klasa e parë deri në klasën e 5-të mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Nxënësit zgjedhin turqishten si gjuhë të huaj të dytë.

Kategoritë
LajmeVendi