Incident në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sulmohet zv/kryeparlamentari Misovski

Fillimisht, deputeti Borisllav Krmov filloi të gjuajë me fletët e amendamenteve zv/kryeparlamentarin Misovski, si dhe theu kompjuterin dhe telefonin para tij, ndërsa më pas atij iu bashkua edhe deputeti Dimitar Apasiev

Seanca në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pasditen sotme është ndërprerë, pasi dy deputetët e Partisë Levica (E Majta) sulmuan nënkryetarin e Kuvendit, Goran Misovski, duke hedhur drejt tij fletët e amendamenteve të propozim-rregullores së Kuvendit dhe duke thyer kompjuterin dhe telefonin para zv/kryeparlamentarit, transmeton Anadolu.

Fillimisht, deputeti Borisllav Krmov, i cili kishte vërejtje procedurale, filloi të gjuajë me fletët e amendamenteve zv/kryeparlamentarin Misovski, si dhe theu kompjuterin dhe telefonin para tij, ndërsa më pas atij iu bashkua edhe deputeti Dimitar Apasiev, kryetar i Partisë Levica.

Dy deputetët e vetëm të Partisë Levica kanë paraqitur mbi 2 mijë amendamente për propozim-rregulloren e Kuvendit, respektivisht sipas kryeparlamentari Talat Xhaferi, janë dorëzuar 2.461 amendamente nga deputetët e kësaj partie, prej të cilave vetëm 12 janë në rregull.

 

Sot, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po mbahet seanca e 131-të, ku deputetët deklarohen për amendamentet e parashtruara të deputetëve për propozim-rregulloren e Shtëpisë ligjvënëse, por seanca është ndërprerë disa herë për shkak të incidenteve të shkaktuara nga Partia Levica, e cila ka vetëm dy deputetët.

Apasiev ka vazhduar duke ofenduar deputetët e pranishëm nga pozita dhe opozita, duke deklaruar se prej sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ekziston demokraci parlamentare.

Incidenti i deputetëve të Partisë Levica duke sulmuar nënkryetarin Misovski erdhi pasi 87 deputetët e pranishëm në seancë nuk e pranuan kërkesën e tyre për tërheqjen e propozim-rregullores nga debati i sotëm.

Kategoritë
LajmeRajoni