Shtypi italian ka raportuar sot më shumë detaje mbi mosmarrëveshjet mes trajnerit të Milanit, Sergio Conceição, dhe mbrojtësit Davide Calabria pas përfundimit të ndeshjes kundër Parmës (3:2), duke theksuar se Zlatan Ibrahimoviç ndërhyri për të qetësuar situatën.
Trajneri portugez dhe kapiteni i Milanit pothuajse u përfshinë në një përplasje fizike pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa ish-lojtari suedez, tani menaxher i Milanit, shkoi direkt në dhomën e zhveshjes pas mosmarrëveshjes publike mes trajnerit dhe lojtarit dhe i “rreshtoi” ata për një bisedë.
Më pas, Ibrahimoviç dërgoi Calabrian dhe Conceicaon të flisnin me gazetarët për të parandaluar përshkallëzimin e problemit, ndërsa vetë zhvilloi një bisedë 30-minutëshe me Conceicaon, gjë që bëri që trajneri portugez të vonohej në konferencën për shtyp.
Fillimisht u raportua se Conceiçaos nuk i kishte pëlqyer reagimi i Calabrias pas zëvendësimit, por mediat italiane deklarojnë se zemërimi i trajnerit kishte lindur nga komentet e lojtarit gjatë festimeve të ekipit.
Në çdo rast, Calabria bëri atë që i kërkoi Ibrahimoviçi, foli me gazetarët dhe u përpoq të qetësonte situatën.
“Sinqerisht, gjëra të tilla ndodhin në fushë, ishte një keqkuptim mes nesh. Na intereson shumë loja. Adrenalina ishte e lartë, por gjithçka e zgjidhëm, nuk është as hera e parë dhe as e fundit që ndodh kjo. Kërkoj falje, sepse nuk ishte diçka e bukur,” tha Calabria.
Nga ana tjetër, Conceição përsëriti se gjëra të tilla ndodhin dhe se lojtarët nganjëherë janë si fëmijë që sillen në mënyrë të papërshtatshme.