Hovenier tha se “nuk donte ta bënte” pasi foli troç për raportet me Qeverinë, Osmani reagon, por pa e thënë asnjë fjalë

“Nuk doja të bëja…”.

Kështu u dëgjua të thoshte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pasi përfundoi konferencën për media me presidenten Vjosa Osmani.

Kjo fjalia u pasua nga deklaratat që i bëri ai për Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, për të cilën përsëriti se e ka sfiduar SHBA-në dhe se kjo ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.

Presidentja nuk e tha asnjë fjalë pas këtij komenti të ambasadorit, por e fiku mikrofonin derisa po dilnin nga salla e konferencës.

Pas një marrëveshjes 34.5 milionëshe që e nënshkroi Osmani me USAID-in, Hovenier tha se i duhej të sqaronte edhe më tej deklaratat e tij për Qeverinë e Kosovës.

“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”, tha Hovenier.

“Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.

Ambasadori amerikan e theksoi se përkushtimi i vendit të tij ndaj popullit të Kosovës nuk nënkupton me doemos edhe ndaj Qeverisë Kurti.

“Por edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE, unë besoj se kjo qartë nënvizon këtë qëllim. Megjithatë, më duhet ta pranoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet dhe zgjedhjet politike të caktuara të ndonjë qeverie”

Kategoritë
LajmeVendi