‘Histeri’ – Vucic u shet mjegull serbëve: Shërbimet e huaja, mediat dhe OJQ po na luftojnë të na dobësojnë për Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vucic, të martën zhvilloi jo intervistë po monolog ky dy orë shpjegoi komplotin botëror e gjuetinë e shtrigave që qarqe të ndryshme po zhvillojnë ndaj Serbisë me synim shkatërrimin e pavarësisë së saj vendimmarrëse. Solli me vete tabelën e famshme po ashtu që e mbushi me diagrame histerike ilustruese të strategjisë së shërbimeve të huaja për të nënshtruar Serbinë, transmeton Gazeta Metro.


Në emisionin Cirilica të gazetarit famëkeq serb Milomir Maric, e gjithë skena ishte për liderin serb. S’kla pyetje po komplote dashakeqe të cilat duhet zbërthyer. Këta që i shtyjnë janë oportunistë të blerë dhe tradhtarë, e Vucic hetuesi, prokurori dhe gjykatësi. Vucic me synim të dukshëm doli e i gjykoi të gjithë me retorikë luftarake e të një gjoja prijësi të rrethuar në një kështjellë që po motivon rojet në mure nga ‘armiku i brendshëm e i jashtëm’.

 

Presidenti serb të hënën në mbrëmje doli e dha porosinë histerike serbe se e gjitha që flitet e bëhet jashtë Serbisë e që “pretendohet se ka të bëjnë me zgjedhjet e gjendjen e demokracisë në Serbi” në fakt ka qëllim dobësimin e pozicionit të Serbisë për Kosovën.

 

Për zhvillimin e luftës hibride, përkatësisht siç e emëroi ‘luftë me mjete të tjera’, akuzoi shërbimet e huaja, organizatat jo qeveritare si dhe mediat – si ato serbe, po ashtu edhe të huaja. I hyri edhe të mburrje se paska edhe dëshmi për këtë punë. Thuajse këto qëndrime nuk janë publike, e thuajse nuk vepron me po këto taktika e mjete që i përshkruante. Përpjekje mjaft patetike edhe në dukje edhe në ekzekutim.

“Më kanë rënë në dorë ato se çfarë dy shërbime të huaja kanë përgatitur d ministri të punëve të jashtme ku thuhet se Serbia është problem pasi nuk po pranon Kosovën, po toleron Dodik dhe është një poligon ku mediat ruse mund të qasen” tha Vucic e shtoi se në vazhdim duhet ta luftojnë këtë, për të mbrojtur besimin e njerëzve në Aleksandar Vucic e që pushteti të mund të kryejë punën e vet.

Vazhdoi me këtë qasje Vucic dhe doli në tabelë pa u sfiduar asnjë herë nga Maric për asnjërin prej pretendimeve. Presidenti serb zgjodhi të përdorë alegori ushtarake betejash e retorikë gjeneralësh për të forcuar vullnetin e oficerëve të tij dhe lënë përshtypjen e përgatitjes së duhur të tyre, e tentuar për të bindur publikun serb se edhe ata na qenkan pjesëmarrës e vendimmarrës.

 

Doli në tabelë dhe vizatoi hartën e taktikën e betejës që siç tha po zhvillohet kundër tij. Në këtë luftë artileria na qenkan mediat, e lufta financohet nga jashtë. Sulmi po kryhet nga fuqitë e mëdha që kanë para, si dhe shtete të rajonit që kanë interesat e tyre tha Vucic me noshalancën e vetëbesimin prej gjeneralit në kontroll që po ndan njohuri me oficerët e shtabit derisa vizatonte.

“Keni nevojë për supremaci ajrore, këto janë paratë. Ju duhet këmbësoria – kjo është gjendja në terren. U duhet artileria e tanket, këto janë mediat”. Nga vijnë paratë e shpjegon vojvoda Vucic. Nga tre burime: Nga fuqitë e mëdha me të cilat vështirë të ballafaqohet ai e populli, nga shtetet rajonale që do përballohen jo aq me lehtësi, si dhe nga qarqe të ndryshme të sektorit të OJQ’ve që fshihen pas agjendave të gjoja demokratizimit, të të drejtave njeriut e atyre ekologjike tha me përçmim ai dhe shtoi se këtu bën dallimin mes atyre të si Freedom House, por e ka fjalën për ato si Rockefeller Foundation e të tilla, që pritej se do ta theksonte.

 

“Këmbësoria niset në këtë mënyrë – armatosen shqiptarët, çarmatosen serbët dhe ndikohet në partitë politike si në Serbinë qendrore poashtu edhe në Kosovë e Metohi, si tek ato serbe edhe te shqiptaret”. Tutje, vazhdoi e theksoi se në këtë armatë e betejë më të rëndësishmit janë tanket dhe artileria, sipas tij mediat, të cilat i akuzoi se “çdo ditë gënjejnë si Serbia do të sulmojë dikë dhe si zgjedhjet e vodhën”.

“Këtu tani shtini me artileri, hap zjarr pa pushim ndaj Vucic. E pse do të pyesnit? Më sulmojnë pasi mbroj dhe ruaj Serbinë. E më pas u duhet që edhe në Serbinë qendrore të gjeni këto media që do të veprojnë njejtë” e theksoi siç bën zakonisht me megalomani të dukshme.

 

Sipas tij lufta hibride nënkupton se në Kosovë po ekzistuakan media që paguhen nga Perëndimi për të demonizuar serbët.

“Keni media të paguara nga Perëndimi në Kosovë që kriminalizojnë popullin serb. Kurti shkatërron të gjitha, grabit dinarin, e ata thonë pastaj nuk mbrojtët serbët, e më pas gjoja se nga serbët e KOsovës vjen pyetja nëse unë pranova për dinarin. E më pas unë gjithë ditë përgjigjem në pyetje të pakutpimta, kështu zhvillohet lufta hibride” e shtoi një dozë viktimizimi vojvoda Vucic, t’ua bëjë me dije serbëve sesa po mundohet ‘gardiani i vetëm i serbizmës’.

Këto aludime janë për portalin serb të lajmeve në Kosovë, Kossev, dhe redaktoren Tatjana Lazarevic, e cila si e ftuar në ‘Iza Vesti’ në N1 – media kjo cak i përditshëm i sulmeve të Vucic – kishte pyetur presidentin nëse verën e kaluar në Bruksel ishte biseduar për ndalimin e dinarit në Kosovë.

Ai iu kthye përsëri mediave të United Group, mes të cilave është edhe TV N1, që sipas tij kanë qëndrime kontradiktore.

 

Për mediat e huaja, të cilat paskan nisur fushatë kundër tij, e theksoi gazetën britanike The Guardian, që e vlerësoi me lehtësi të jashtëzakonshme si “gazetë kriminale dhe një fundërrinë”.

Tjetër çka i pengoi Vucic ishte edhe Frankfurter Allgmeine Zeitung, që siç tha paska shpifur se ai është i fascinuar me atë që Azerbajxhani paska bërë në Naghorno-Karabhak e për këtë arsye po përforcon ushtrinë. “Ku e bazojnë këtë? Askund. Të gjithë këta e bëjnë këtë për të rrënuar Serbinë” tha ai.

 

Se lëshoi as rastin të lajë hesapet me gazetën tjetër gjermane Bild dhe të fusë në kombinim edhe presidentin amerikan Joe Biden disi, se ky paska bërë një gafë në një fjalim që ndodhë secilit shtoi. Nënkuptohet thumbi i fshehur pas gjoja respektit.

“Për qytetarët e Serbisë është e rëndësishme ta di që e gjithë kjo gjueti që po zhvillohet kundër Serbisë jashtë, si këta të Guardian, prej asaja që kur Biden jep deklaratë, e cili është gjithmonë i mirë përgatitur, megjithëse njerëzit flasin gjithçka për të, e thonë që besojnë se nëse e lejojnë që Ukraina të mposhtet nga Rusia, në vend të se të thotë çfarë do të ndodhë me Baltikun, ai tha ma Ballkanin. Secilit i ndodhë të gabojë, por të nesërmen në Bild del fotografia ime me Putinin ku thuhej: Për këtë e kishte Biden? Dhe pretendonin se kjo është dëshmi se Vucic po nxit luftë në Ballkan, a në përmbajtje s’kishte gjë” tha Vucic.

 

S’kishte si të mungonte në gjithë këtë melodramë të Vucic edhe kryeministri Albin Kurti. Të cilin herë e paraqet si një përbindësh dalë jashtë kontrolli e herëve tjera – kur dëshiron t’u përkëdhel¡ egon fashiste tifozëve huliganë serbë – e përshkruan si një kundërshtar të parëndësishëm që do ta mposhtë lehtë sikur ta linin këta të huajt. E shtoi se dikush po luan me hile edhe ndërkombëtarëve dhe ai e di se kush na qenka ai që po e këshillon Kurtin prej Anglie, dhe e përshkroi ca këtë intrigantin misterioz. Publike janë këto informata, e nuk ka këshilluar ai vetëm këtë ekzekutiv kosovar e as nuk është fshehur ndonjëherë. Madje, fare i qetë e duke tymosur puro në ballkon u pa në Ohër kur po negociohej aneksi i ujdisë së Brukselit mes Kosovës e Serbisë. Nëse nuk na qenka ndonjë tjetër komplotist vojvoda Vucic.

“Europianëve dhe Amerikanëve duhet të jemi mirënjohës se nuk dëshirojnë destabilizim, a Kurtit po i ngutet. Ai ka një këshilltar nga Mbretëria e Bashkuar. Gjerman me prejardhje, për të cilin do të ketë biseda ditëve në vijim, ai po e shtyn drejt atyre zgjidhjeve” tha ai.

 

Më pas vazhdoi me akuzat e teoritë e dëgjuara shpesh nga ai se kryeministri Kurti po shkon hapur drejt pastrimit etnik të serbëve në Kosovë dhe s’po e fsheh madje dhe e përcolli si zakonisht me kontrastin si ky na qenka lideri konstruktiv që dëshiron paqe, stabilitet, e s’ka synim aspak luftën.

Vucic është akuzuar shpesh edhe nga partnerët se në Bruksel të luaj konstruktivin e në Beograd destruktivin në Ballkan nuk pranohet.  Për t’u konsideruar partner i besueshëm, duhet të jesh anëtar i BE’së, e për të hyrë në bllok duhet të pranosh realitetin. Kosovën e pavarur. Për të qenë shtet mik e aleat, duhet të shkëputesh nga Rusia. Të anëtarësohesh në NATO.

 

Nuk e lënë mangët kritikat as për palën tjetër në këtë luftë gjelash. Kryeministri Albin Kurti mjaft shpesh tashmë për qasjen e tij të ashpër e antagoniste si mjet i shtyrjes së agjendës së tij përpara. Në vit elektoral madje.

SHBA dhe BE në ballafaqimin e radhës mes civilizimeve demokratike e atyre tiranike kërkojnë që këta liderët ballkanas gati partnerë e aleatë (së paku në fjalë) të përfundojnë detyrat dhe të heqin dorë nga histeria, euforia e teorive të komploteve si mjet, duke e lënë anash mburrjen e krekosjen e diplomacisë alla mejhane otomane.

 

Durimi s’është i pashtershëm e s’ka edhe aq kohë mund të thuhet. Ngurrimi edhe mund të kuptohet ndryshe. As neutraliteti s’ka qenë i respektuar ndonjëherë. Siç mund të thuhet ndoshta se ky vit është i fundit për t’u rreshtuar dhe atë  jo vetëm për shkak të rrethanave gjeopolitike./gazetametro.net

Kategoritë
LajmeRajoni