Ministrja Nagavci tha se fryma e lirisë shihet qartë në punimet e nxënësve shqiptarë të cilët arti i bëri bashkë në këtë ekspozitë.
Nën përkujdesjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë ekspozita me piktura të nxënësve të shkollave nga Kosova dhe Shqipëria, raporton Anadolu.
Dhjetëra piktura që për temë kanë pavarësinë, përmbajnë personalitete kyçe të pavarësisë së Kosovës përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari, iah-presidentin Ibrahim Rugova dhe piktura të tjera me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës dhe simbole kombëtare.
Pikturat u ekspozuan para një audience të përbërë nga ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, arsimtarë, nxënës dhe prindër.
Ministrja Nagavci tha se fryma e lirisë shihet qartë në punimet e nxënësve shqiptarë të cilët arti i bëri bashkë në këtë ekspozitë.
Nagavci tha se si ministre e arsimit ka këmbëngulur që bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të intensifikohet sa më shumë.
“Ky brez i nxënësve të lindur pas shpalljes së pavarësisë, jeni me fat që po rriteni në liri. Fryma e lirisë shihet qartë në këto punime. Ministria e Arsimit ka qenë dhe sot mbetet një krah i fortë ndaj të rinjve. Është një kënaqësi e veçantë që kjo i solli nxënësit nga të dyja vendet”, theksoi Nagavci.
Ekspozita e hapur për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përmban afër 107 punime të nxënësve nga Kosova dhe Shqipëria dhe do të qëndrojë e hapur deri më 15 mars.