Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se politika e identitetit në Bashkimin Evropian ka bllokuar anëtarësimin e Turqisë, ndërsa Evropa ka humbur qendrën e saj të gravitetit dhe po rrëshqet drejt hegjemonëve të tjerë.
Ai shprehu gjithashtu qëndrimet e Ankarasë për Sirinë dhe Iranin në kontekstin e dinamikës së ndryshueshme të sigurisë rajonale.
Në një intervistë për “On the Record” të Bloomberg në Davos, Fidan kritikoi ashpër drejtimin strategjik evropian, duke theksuar se është politika e identitetit – dhe jo standardet teknike – ajo që aktualisht po e pengon Turqinë në kandidaturën e saj të bllokuar për anëtarësim në BE, ndërkohë që vendet e rajonit po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga fuqitë rivale globale.
Teza kryesore e tij ishte strukturore. Evropa, tha Fidan, ka ndërtuar një sistem mbikombëtar, por nuk është shndërruar në një kornizë të vërtetë qytetëruese, duke e lënë Turqinë jashtë dhe duke dobësuar arkitekturën evropiane të sigurisë në një kohë rivaliteti të përshpejtuar mes fuqive të mëdha. Fidan u shpreh qartë:
“Për sa kohë që Bashkimi Evropian vazhdon politikën e identitetit ndaj Turqisë, nuk mendoj se Turqia do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së.”
Ai shtoi se, kur bëhet fjalë për Turqinë, Brukseli “zbaton politikë identiteti, duke na parë si pjesë të një feje dhe qytetërimi tjetër”.
Fidan e vendosi pikën e kthesës në vitin 2007, duke theksuar se deri atëherë Franca dhe Gjermania mbështesnin anëtarësimin e Turqisë, për sa kohë përmbusheshin standardet. Ndryshimi ndodhi me ardhjen e Nicolas Sarkozy në Paris, i cili – sipas Fidanit – adoptoi një kornizë qytetëruese:
“Ai pranoi politikën e identitetit dhe tha: ‘Ne jemi Evropë e krishterë’, dhe për këtë arsye nuk dëshironte që Turqia të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian.”
Fidan e lidhi këtë kthesë politike me brishtësinë e sotme të Evropës, duke pohuar se, po të ishte Turqia anëtare e BE-së, Brexit nuk do të kishte ndodhur dhe “Evropa do të ishte shumë më rezistente ndaj sfidave aktuale”.
Ai e zgjeroi këtë logjikë edhe për Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se nëse edhe Londra edhe Ankaraja do të ishin brenda bllokut, Evropa do të krijonte qendrën e vet të gravitetit, në vend që të rrëshqiste drejt fuqive të tjera si SHBA-ja, Kina apo Rusia.
Sa i përket sigurisë transatlantike, Fidan vuri në dukje se Evropa për një kohë të gjatë ka qenë e varur nga mbrojtja amerikane dhe tani po përpiqet të ndërtojë një arkitekturë të pavarur. Ai i përshkroi Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të vendosura në krahun lindor dhe perëndimor të Evropës, si partnerë strategjikë natyrorë. Në aspektin ekonomik, theksoi se tregtia BE–Turqi arrin në 230 miliardë dollarë, pa deficit për asnjërën palë, duke paralajmëruar se integrimi tregtar nuk është shoqëruar me integrim të sigurisë.
Ai përshëndeti gjithashtu atë që e quajti korrigjim të kursit amerikan në armatosjen e grupeve armiqësore ndaj aleatëve të NATO-s, duke iu referuar një politike më shumë se dhjetëvjeçare.
Përtej debatit për BE-në, Fidan theksoi preferencën e Ankarasë për përgjegjësi rajonale në vend të tutorisë së jashtme. Duke hedhur poshtë kornizat imperialiste, ai tha: “Nuk po flasim për Perandorinë Osmane”, duke shtuar se synimi aktual është që shtetet kombëtare të ndërtojnë platforma për menaxhimin e sfidave ekonomike, politike, të sigurisë dhe terrorizmit. Të presësh një hegjemoni, paralajmëroi ai, rrallëherë sjell rezultate në përputhje me interesat lokale.
Sa i përket tranzicionit në Siri, Fidan tha se pas largimit të Bashar al-Assadit, shtetet rajonale fillimisht u takuan në Aman, më pas në Kajro, dhe më vonë iu bashkuan evropianët dhe amerikanët për të vendosur kushtet për Damaskun. Ankaraja i paraqiti autoriteteve të reja siriane katër kritere: asnjë kërcënim ndaj fqinjëve, asnjë lidhje me grupe terroriste, mbrojtje të pakicave dhe respektim të unitetit sirian. Sipas Fidanit, Ahmed al-Sharaa i ka pranuar këto kushte dhe “deri tani të gjithë janë relativisht të kënaqur me punën e tij”.
Për përfaqësimin kurd, Fidan kritikoi paraqitjen ndërkombëtare të YPG-së si përfaqësues i vetëm, duke theksuar se PKK-ja ka detyruar më shumë se 12 parti politike të shkojnë në mërgim. Ai kujtoi se gjatë viteve 2010–2011, kur drejtonte shërbimin turk të inteligjencës (MIT), i kishte përcjellë kryeministrit të atëhershëm Recep Tayyip Erdoğan kërkesën që Asadi t’u jepte shtetësi kurdëve – një apel që nuk u pranua. Më shumë se një dekadë më vonë, Ankaraja thotë se Damasku tani po përpiqet ta korrigjojë këtë praktikë.











