Greqia pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE? Varhelyi: Në Bruksel ka dakordësi për hapjen e negociatave, po ndihmojmë…

Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi ka deklaruar se Brukseli është dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin e parë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama në përfundim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i pyetur nëse do ta lejojë Greqinë që të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE, eurokomisioneri theksoi se: nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon për të ecur përpara.

“Pra, ju dëshironi që unë të flas për Shqipërinë në mënyrë negative? Ok atëherë, këtë nuk e bëj dot, refuzoj ta bëj këtë gjë. Unë mendoj që hapat tuaja, veprat tuaja e kanë treguar se çfarë keni arritur. Pra, mos harroni se ku ishim në tetor të vitit 2019 dhe shihni ku jemi tani. Pra, unë nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritje të Shqipërisë. Gjithashtu, ne jemi të dakordësuar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë dhe Bashkimi Europian do duhet që të ketë mundësinë që ta marrë këtë vendim dhe në fakt, sado teknik është si proces dhe që është thjesht hapi i radhës, unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e  kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pra marrëdhënieve të mira me fqinjët, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara. Por gjithsesi, ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj shumë që në muajt në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër ndërqeveritare në mënyrë që të kalojmë tek negociatat e vërteta sepse ne dëshirojmë të hapim negociatat për grup-kapitullin e parë që janë të drejtat themelore, sundimi i ligjit dhe ndoshta mund të diskutojmë këto të drejta themelore në mënyrë më të gjerë pasi të jenë hapur vetë negociatat”, tha Varhelyi.

Kategoritë
LajmeRajoni