Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të premten ka shënuar 81-vjetorin e deportimit masiv të turqve të Mesketit (Ahıska) nga rajoni i Ahiskës në Gjeorgji, duke kujtuar gati 100 mijë njerëz që më 14 nëntor 1944 u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre.
“Ende e ndiejmë në zemrat tona dhimbjen e pothuajse njëqind mijë turqve të Ahiskës të deportuar më 14 nëntor 1944 nga atdheu i tyre shekullor,” shkroi Erdoğan në rrjetin social turk NSosyal, duke shtuar se lutet për mëshirë për “të gjithë bashkatdhetarët tanë që humbën jetën” dhe ndan pikëllimin e gjithë komunitetit të Ahiska turqve në këtë përvjetor.
Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë kujtohet se pothuajse 100 mijë turq të Mesketit u shkëputën me forcë nga atdheu i tyre në Ahiska, atëherë pjesë e RSS-së së Gjeorgjisë, dhe u deportuan në rajone të largëta të Bashkimit Sovjetik. Mijëra prej tyre vdiqën nga uria, të ftohtit dhe sëmundjet gjatë deportimit shumëjavor.
“Në 81-vjetorin e deportimit, me pikëllim kujtojmë këtë tragjedi të madhe dhe me respekt përkulemi para vëllezërve dhe motrave tona që humbën jetën në mërgim,” thuhet në deklaratë. Ministria theksoi se, pavarësisht vuajtjeve të mëdha, turqit e Mesketit arritën ta ruajnë identitetin, gjuhën, fenë dhe kulturën, duke ia transmetuar brezave të rinj.
Ankara përsëriti gjithashtu pritjen që procesi i kthimit të turqve të Ahiskës në atdheun e tyre historik të përmbyllet me sukses.
Deportimi i vitit 1944: Një nga operacionet më brutale të zhvendosjes së detyruar sovjetike
Deportimi i turqve të Ahiskës ishte pjesë e politikave represive të Bashkimit Sovjetik në fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Më 14 nëntor 1944, autoritetet sovjetike i akuzuan banorët e Akhaltsikhe dhe zonave përreth se “cenonin sigurinë shtetërore”. Vetëm disa orë më vonë, mbi 90 mijë njerëz – gra, fëmijë dhe të moshuar – u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u futën në vagona mallrash.
Kushtet në ata vagona, të ndërtuar për mallra dhe jo për njerëz, ishin pothuajse vdekjeprurëse. Deportimi zgjati më shumë se një muaj, dhe sipas historianëve, rreth 17 mijë persona vdiqën nga uria, sëmundjet dhe të ftohtit ekstrem.
Plani i Stalinit: Ndryshimi i strukturës etnike të zonës kufitare
Sipas të dhënave historike, deportimi u urdhërua drejtpërdrejt nga lideri sovjetik Josef Stalin. Më 20 shtator 1944, ai nënshkroi dekretin për zhvendosjen e turqve dhe pakicave të tjera myslimane nga rajoni i Ahiskës drejt rajoneve të largëta të BRSS-së. Qëllimi ishte ndryshimi i strukturës etnike të zonës së ndjeshme kufitare me Turqinë, në një kohë kur tensionet ndërmjet Moskës dhe Ankarasë po rriteshin.
Ndërsa rreth 40 mijë burra të Ahiskës luftonin në Frontin Lindor kundër Gjermanisë naziste, urdhri i deportimit ra mbi familjet e tyre në shtëpi. Lavrenti Beria, shefi i policisë së fshehtë sovjetike, mobilizoi rreth 20 mijë ushtarë të armatosur rëndë për operacionin që përfshiu mbi 220 fshatra.
Familjet u lanë vetëm dy orë kohë për t’u përgatitur. Shumica u detyruan të linin gjithçka pas – shtëpitë, bagëtinë dhe ushqimet për dimër.
Mbijetesa në mërgim: dekada represioni, punë të detyruar dhe diskriminim i vazhdueshëm
Në Kazakistan, Kirgistan dhe Uzbekistan, turqit e Ahiskës u përballën me represion të ri. Ata jetuan nën administrim ushtarak deri në vitin 1956, iu ndalua lëvizja, u detyruan të punonin punë të rënda dhe iu nënshtruan përpjekjeve për asimilim kulturor.
Edhe pas vdekjes së Stalinit, kthimi në Ahiskë mbeti i pamundur. Konflikti etnik i vitit 1989 në Fergana detyroi rreth 20 mijë prej tyre të largoheshin sërish drejt rajonit Krasnodar në Rusi, ku për dekada u përballën me diskriminim sistematik dhe mohim të të drejtave themelore.
Në vitet 2004–2005, mbi 13 mijë turq të Ahiskës u vendosën në Shtetet e Bashkuara nën kujdesin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion.
Konflikti i Donbasit në vitin 2014 i rrezikoi sërish. Me urdhër të presidentit Erdoğan, grupe të mëdha u zhvendosën në Erzincan dhe Bitlis.
Sot turqit e Ahiskës përbëjnë komunitete të mëdha dhe aktive në Turqi – nga Stambolli dhe Bursa te Ankara, Izmiri, Denizli dhe Antalia – por edhe në Kazakistan, Kirgistan, Uzbekistan, Azerbajxhan, Rusi dhe SHBA. MPJ e Turqisë dhe TİKA vazhdojnë të mbështesin projekte për ruajtjen e kulturës së tyre dhe organizojnë vizita në Ahiskë, duke mbajtur gjallë lidhjen e ndërprerë me dhunë 81 vjet më parë.
Ky përvjetor, siç theksoi Ankara, mbetet një kujtesë për një nga episodet më tragjike të zhvendosjeve të detyruara sovjetike dhe një dëshmi për këmbënguljen e një komuniteti që, pavarësisht persekutimit shumëdekadësh, arriti të ruajë identitetin dhe traditat e tij.












