“Emërimi i Joseph si emisar special mund të sjellë ndryshime në gjithë Ballkanin”

Pas propozimit të presidentit amerikan, Biden, për emërimin e një emisari për njohjen e Kosovës nga pesëshja evropiane, njohësit e çështjeve politike në Kosovë, thonë se kjo lëvizje do të përshpejtonte shumë çështje për sa i përket integrimit të Kosovës.

Ata besojnë se mund të ketë njohje nga pesë vendet e BE-së, jo vetëm për shkak të Kosovës, por edhe për shkak të rrethanave gjeopolitike që janë krijuar në kontinentin evropian.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha se emërimi i emisarit amerikan është një sinjal edhe për qeverinë e Kosovës, që të lëvizë me asociacionin, pasi sipas tij, tani ShBA-ja duhet ta ketë në tavolinë një fakt shumë të rëndësishëm, që Kosova është e orientuar si për të drejtat e njeriut ashtu edhe për vizionin euroatlantik.

“Me këtë lëvizje do të ndryshonte i gjithë narracioni, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor. Besoj se mund të ketë njohje nga pesë vendet e BE-së, jo vetëm për shkak të Kosovës, por edhe për shkak të rrethanave gjeopolitike që janë krijuar në kontinentin evropian. Sot nuk mundet Spanja të jetë neutrale ndaj Kosovës, ku kontinenti evropian është në buzë të një lufte, dhe në një farë mënyre çdo neutralitet kundrejt Kosovës do të ishte favor për forcat destruktive jo vetëm në Ballkan, por edhe në BE. Nuk besoj njëherë që do të ketë njohje reciproke me Serbinë, por kjo do ta desfaktorizonte Serbinë skajshmërisht shumë. Pra, do ta bënte të parëndësishëm dialogun me Serbinë nëse kemi njohjen nga pesë vendet e BE-së. Kjo do ta detyronte Serbinë që ta ri-mendojë komplet politikën e vet, jo vetëm karshi Kosovës, por edhe karshi perëndimit”, ka thënë Arifi.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha për Radio Kosovën se lëvizja e Amerikës është e mirëpritur dhe se kjo do të ndihmojë Kosovën në integrimet evropiane, duke i dhënë një shtytje që të angazhohet për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Është pozitive dhe shpresoj që do të ndodhë diçka. Me tepër se e kuptoj si lobizim të njohjes së Kosovës, pra ndoshta drejtpërdrejt si kërkesë unike dhe të vetme që pa kushte të njihet Kosova nga pesëshja evropiane. Të shpresojmë që Biden të arrijë qëllimin, që në fund të mandatit të tij, së paku brenda këtij viti të ndodhin këto njohje. Ndërsa, për sa i përket relacionit Kosovë-Serbi, kërkesa elementare e ndërkombëtarëve është që Kosova të themelojë Asociacioni dhe përmes tij zgjidhen çështjet”, ka thënë Burjani.

Presidenti Biden, në pjesën kushtuar rolit të ShBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë ‘unifikim’ të këtyre dy vendeve të pavarura.

Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi