Dy të vrarë brenda pesë ditësh, 11 gjatë tetë muajve në Kosovë- Konfiskohen mbi 800 armë zjarri

Qytetarët janë tronditur si pasojë e dy vrasjeve të cilat kanë ndodhur brenda vetëm pesë ditësh në Kosovë.

89-vjeçari, Sadri Sadriu u vra me 16 gusht nga zyrtari policor Festim Ramadani në oborrin e një salle dasmash i cili është vetë-dorëzuar në Polici.

Sipas raportimeve të mediave, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për arsye morale, pasi që dyshohet se  ‘motivi i vrasjes’ ishte ‘dhunimi i dy motrave të dorasit, Festim Ramadanit, nga ana e viktimës, Sadri Sadriu, kur ato ishin të mitura’. Deri më tani, dihet se viktima ishte burri i tezës së dorasit.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për dy të dyshuarit në këtë vrasje me inicialet F.R e J.M, shkruan lajmi.net.

Caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve u bë të dielën pas mbajtjes së seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 16 gusht 2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, në një fshat të Komunës së Ferizajt, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojë nga jeta, posa vërejnë të ndjerin se hynë në parking, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur një mjetë të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S. dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë që kanë qenë së bashku me të ndjerin, i cili për pasojë ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Katër ditë pas vrasjes në Bibaj të Ferizajt, saktësisht me 20 gusht një grua në Vranjevc të Prishtinës ka vrarë kunatin e saj.

Sipas njoftimit të policisë, viktima dyshohet se është goditur me 10 plumba nga kunata e tij.

“Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, pati njoftuar Policia e Kosovës menjëherë pasi ka ndodhur rasti. 

Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të dyshuarës në lidhje me vrasjen në Vranjevc.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda dhe ndaj të pandehurës N.M është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do të zgjasë nga data 20.08.2024 deri me datë 19.09.2024, për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës.

Numri i vrasjeve në Kosovë gjatë tetë muajve të parë të 2024-tës ka pësuar rënie, për dallim nga viti i kaluar, shkruan lajmi.net.

Policia e Kosovës në një përgjigje për lajmi.net ka njoftuar se gjatë muajve janar-gusht të vitit 2023 në Kosovë kanë ndodhur 20 vrasje ndërsa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2024 kanë ndodhur 11 sosh.

“Gjatë periudhës janar – gusht 2023, janë raportuar 20 vrasje, gjatë periudhës janar- 20 gusht 2024, janë raportuar 11 vrasje, gjatë vitit 2023, janë raportuar 29 vrasje dhe gjatë vitit 2022, janë raportuar 21 vrasje”, thuhet në statistikat e Policisë dhënë për lajmi.net. 

Për dallim nga viti i kaluar, numri i armëve të konfiskuara gjatë tetë-mujorshit të parë të 2024-tës është 814 ndërsa në periudhën e njëjtë kohore në 2023-tën janë konfiskuar 636 armë të ndryshme.

“Gjatë periudhës janar – korrik 2023, janë konfiskuar 636 armë të ndryshme, gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme, gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme dhe gjatë vitit 2022, janë konfiskuar 1473 armë të ndryshme”, thuhet në statistikat e Policisë së Kosovës.

Këto shifra janë shqetësuese, pasi njëmbëdhjetë jetë janë marrë vetëm gjatë tetë muajve të fundit nga duart e njerëzve në Kosovë. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi