Dodik pas takimit me Vuçiçin: Republika Sërpska nuk ka në plan të shkëputet nga BeH

“Republika Sërpska nuk ka në plan të largohet nga Bosnjë e Hercegovina (BeH). Lufta është e papranueshme. RS nuk do të bëjë luftë, nuk do të bëjë luftë as për pavarësinë e saj”, tha Dodik.

Republika Sërpska (RS) nuk ka në plan të largohet nga Bosnjë e Hercegovina (BeH). Lufta është e papranueshme. RS nuk do të bëjë luftë, nuk do të bëjë luftë as për pavarësinë e saj. Ne kurrë nuk do të bëjmë asnjë lëvizje lufte që mund ose që ka lidhje me statusin tonë, tha kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Millorad Dodik pas takimit në Banja Llukë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni serb i udhëhequr nga Vuçiç ndodhet sot për vizitë në entitetin e BeH-së, Republika Sërpska. Takimi midis presidentit të Serbisë, Vuçiç dhe presidentes së RS Zheljka Cvijanoviç dhe kryesuesin e Presidencës së BeH Milorad Dodik u mbajt në Pallatin e Republikës në Banja Llukë.

Në fillim të adresimit të tij në konferencën për media, Dodik tha se bashkëpunimi midis RS dhe Serbisë zhvillohet brenda kornizës “e cila është e drejta jonë për lidhje të veçanta”.

“Ne përpiqemi dhe kujdesemi që kjo e drejtë të mos shkojë përtej asaj që është shkruar dhe lejuar. Nuk duam të rrezikojmë askënd. Po përpiqemi të gjejmë modalitete të reja për çështjet e vjetra”, deklaroi Dodik, duke shtuar se kjo ishte pikërisht ajo për të cilën bisedoi me Vuçiçin sot.

Ai tha se e informoi Vuçiçin për situatën në BeH.

“Situata politike në BeH është shumë e keqe, situata në të cilën RS angazhohet në procesin e paqes, bashkëpunimit dhe bisedimeve këtu në BeH, nuk has me përgjigje të këtij lloji. Ne dëgjojmë nga Sarajeva vetëm kërkesa për eliminimin e RS dhe eliminimin e të drejtave tona”, tha Dodik.

“RS nuk do të bëjë luftë, nuk do të bëjë luftë as për pavarësinë e saj. RS dëshiron të mbrohet, askush të mos mendojë se ne do t’i dorëzohemi ndokujt. Ne kurrë nuk do të bëjmë asnjë lëvizje lufte që mund ose që ka lidhje me statusin tonë. Jo, unë them jo. Askush nga këta njerëz këtu nuk kanë ndonjë plan të këtij lloji”, tha Dodik.

Ai gjithashtu komentoi shkurtimisht rreth ngjarjes së “non-paper”.

“Ne nuk e nxorëm, as Serbia nuk e bëri këtë, ngjarja me letrën (non-paper) e cila shkaktoi aq shumë eufori, aq shumë urrejtje. Kjo erdhi nga jashtë, ne nuk e bëmë këtë. Dua t’ju them se jam i befasuar se me çfarë shpejtësie u përhap kjo ngjarje”, tha Dodik.

Kategoritë
LajmeRajoni