Dhjetë hendbollistë 17-vjeçarë nga Burundi janë zhdukur në Rijeka, njoftoi Departamenti i Policisë së Primorsko-Goranska.
Hendbollistet që mungojnë janë pjesëmarrës në kampionatin botëror të kadetëve, i cili zhvillohet nga data 2 deri më 13 gusht në disa qytete të Kroacisë, përfshirë edhe Rijekën.
“Sipas informacioneve të deritanishme, bëhet fjalë për dhjetë të rinj të lindur në vitin 2006, të cilët dje rreth orës 15:30 janë larguar në drejtim të panjohur nga zona e qendrës studentore të Rijekës, ku strehoheshin gjatë kampionatit. “tha policia.
Ata shtuan se nuk po u përgjigjen telefonatave të askujt dhe se po ndërmerren masa dhe veprime për gjetjen e personave të zhdukur.
Po ashtu, po punohet për përcaktimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante të zhdukjes së tyre.
Kujtojmë se një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në disa gara të mëparshme nëpër Evropë, ku lojtarët kryesisht nga Afrika u zhdukën në kërkim të një jete më të mirë.
















