Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se “Serbia sigurisht që nuk qëndron prapa përmbysjes së Bosnjë-Hercegovinës dhe as nuk e mbështet atë, por është absolutisht kundër sulmeve dhe përpjekjeve për të përmbysur Republikën Srpska”.
Daçiq pretendon “se vazhdimisht pohohet teza se serbët janë faktori kryesor përçarës dhe askush nuk dëshiron të thotë se në të gjithë historinë ekziston një dëshirë për bashkimin e BiH dhe shfuqizimin e entitetit”.
Ai tha se Serbia është “shumë e shqetësuar për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se është në favor të ruajtjes së integritetit territorial dhe prandaj mendon se zgjidhja duhet të jetë në dialog”.
“Mendoj se është në interesin tonë të përbashkët të përpiqemi të jetojmë sa më mirë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe të ecim drejt BE-së së bashku”, tha Daçiç për B92.
Duke folur për situatën e tensionuar në BiH dhe marrëdhëniet me Republikën Srpska, Daçiç tha se “kjo nuk është hera e parë dhe se përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë bërë vazhdimisht këtë në lidhje me Republikën Srpska dhe se nuk u pëlqen një RS e fortë sepse është një pengesë për bashkimin e BiH”.
Ai vuri në dukje se Christian Schmidt, i cili nuk njihet nga Republika Srpska, duhet të përpiqet të jetë unifikues dhe të mos imponojë vullnetin e tij.
Daçiq tha se “në Sarajevë reagojnë tmerrësisht kur dikush u thotë – nëse boshnjakët nuk kanë asgjë kundër pavarësisë së Kosovës, cilat janë argumentet e tyre për të thënë diçka kundër Banja Lukës?”
“Nuk ka përgjigje, po mundohen të shpjegojnë se nuk është njësoj, as që thashë se është njësoj, por Republika Srpska është një krijim ndërkombëtar, një ent i njohur ndërkombëtarisht, të cilin e kanë shpikur SHBA-të, jo. neve.Tani ju pretendoni se e përkrahni Kosovën, e nuk e shihni, e keni problem në oborrin tuaj”, tha Daçiq.







