Coca-Cola nis testimin e shishes së parë prej letre

Coca-Cola pritet të nxjerrë në treg shishe prej letre, si një përpjekje për të eliminuar tërësisht paketimin plastik nga produktet e saj. Kompania ka vendosur të krijojë 2 mijë prototipa shishe letre këtë vit, për të parë se sa efektiv është dizenjimi.

Prototipi është bërë nga kompania daneze Paboco dhe përbëhet nga një guaskë letre, e cila përmban një shtresë të hollë plastike. Coca-Cola pretendon se pjesa e brendshme e paketimit mund të riciklohet në pjesën më të madhe të Evropës.

Një nga sfidat e përdorimit të një shisheje letre në krahasim me një qelqi është se pija e gazuar duhet të ruajë presionin e saj. Në mënyrë që të mbajë lëngun të ndarë nga letra, kompania po konsideron një shtresë të brendshme me bazë bimore dhe një kapak letre që lejon riciklimin me 100 përqind.

Michael Michelsen, menaxher i zhvillimit të biznesit në Paboco, tha se projekti është ende në fazat fillestare të zhvillimit. “Ne jemi përqendruar në disa zona të ndryshme zhvillimi, të cilat lidhen me vizionin tonë për krijimin e një shisheje 100 përqind të riciklueshme dhe bimore,” tha ai.

Kategoritë
Të ndryshme