Bullgaria i prish “festën” Maqedonisë së Veriut pas anëtarësimit, notë proteste për përmendjen e gjuhës maqedonase

Pas 17 vitesh me statusin e vendit kandidat, edhe Maqedonia e Veriut celi negociatat e integrimit në një ditë me Shqipërinë.

Pas zgjidhjes së konflikteve fillimisht me Greqinë, që solli dhe ndryshimin e emrit në Maqedoni të Veriut, qeveria e Dimitar Kovacevskit arriti po ashtu të sheshojë edhe mosmarrëveshjet me Bullgarinë për gjuhën dhe të drejtat e pakicave.

Kapitulli i parë që Maqedonia e Veriut duhet të realizojë është lëvizja e lirë e mallrave  me vendet e BE. Të pasuara nga 34 kapituj të tjerë që synojnë harmonizimin e legjislacionit të shtetit ballkanik me ato të unionit evropian.

Zbatimi i ligjeve do të thotë edhe standardizim të të dhënave të akredituara dhe vendosjen e rregullave të përbashkëta të tregut.

Përvec shqyrtimit të 35 kapitujve me Komisionin Europian, Maqedonia e Veriut nënshkroi dhe një Protokoll me Bullgarinë i cili përmban rekomandime dhe detyrime reciproke, si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Duket se rruga e Maqedonisë së Veriut deri në finalizimin e procesit të integrimit do të jetë e vështirë.

Kjo pasi Bullgaria i ka prishur festën Shkupit duke i dërguar një notë proteste pas nisjes së negociatave të anëtarësimit. Sofja zyrtare thotë se përmendja e gjuhës maqedonase në dokumentet e Bashkimit Europian nuk duhet të interpretohet si njohje e saj nga Bullgaria.

Madje pretendon se gjuha maqedonase është bazuar në gjuhën letrare bullgare.

Shkupi zyrtar i është përgjigjur duke nënvizuar se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945 dhe se ka dëshmi që ka vazhdimësi nga trojet e saj.

Kategoritë
LajmeRajoni