Bosnjë dhe Hercegovina pranon 30 mijë doza vaksine të dhuruara nga Turqia

Vaksinat kineze Sinovac, të premtuara nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, u dërguan me një aeroplan ambulancë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Tridhjetë mijë doza të vaksinës kineze Sinovac, donacion nga Turqia në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), kanë arritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vaksinat, të premtuara nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës në Ankara të anëtarëve të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës më 16 mars, u dërguan me një aeroplan ambulancë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Ministri i Sigurisë i Bosnjë dhe Herzegovinës, Selmo Cikotiç, në një konferencë shtypi në aeroport falënderoi presidentin Erdoğan dhe popullin turk, duke theksuar se “Turqia sot, ashtu si gjithmonë, tregoi se është e gatshme të na mbështesë”.

Këshilltari i Kreut të Këshillit Presidencial, Boshko Tomiç, tha se ndihma në periudhën kur sistemi shëndetësor po kalon nëpër kohëra të vështira është e rendësishme.

“30 mijë dozat e dërguara janë shumë të vlefshme, qoftë për shpëtimin e një jete të vetme. Falënderoj Turqinë për këtë mbështetje të madhe që na e ofroi”, theksoi Tomiç.

Zëvendësambasadori i parë i Turqisë në Sarajevë, Özgür Şahin, tha se me porosi të presidentit Erdoğan menjëherë ka kontaktuar autoritetet e Bosnjë dhe Hercegovinës, duke shtuar se mbështetja për këtë vend në luftën kundër pandemisë do të vazhdojë tutje.

Vaksinat do të transferohen në depon në Mostar

Ndërkohë, Ministria e Punëve Civile e Bosnjë dhe Hercegovinës tha në një deklaratë se vaksinat do të transferohen në depon qendrore në Mostar pas procedurave doganore dhe do të ndahen në dy entitetet e vendit dhe rajonin Brçko sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Ndryshe, presidenti Erdoğan, gjatë vizitës së kreut të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, tha se Turqia ka qenë pranë këtij vendi që nga fillimi i pandemisë, duke theksuar se mbështetja do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe duke premtuar 30 mijë doza vaksine.

Bosnjë dhe Hercegovina, e cila ka shënuar vonesë në fillimin e fushatës së vaksinimit, deri më tani ka regjistruar mbi 162 mijë raste me COVID-19, nga të cilët 6.220 kanë humbur jetën.

Vendi ka porositur 1 milion e 232 mijë doza vaksine në kuadër të programit COVAX. Më 5 mars, Bosnjë dhe Hercegovina pranoi 23.400 doza të vaksinës BioNTech-Pfizer dhe 26.400 të vaksinës AstraZeneca.

Kategoritë
LajmeRajoni