“Pas kërcënimit të Dodikut për ‘rrethimin e kazermave të Forcave të Armatosura të BeH-së sipas modelit slloven të vitit 1991″, ky është kërcënimi më i rrezikshëm për procesin e paqes”, tha anëtari i Presidencës së BeH-së, Beqiroviq.
Kërcënimet brutale të Milorad Dodikut ndaj përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) janë shumë të ngjashme me kërcënimet e bëra nga i dënuari për krime lufte, Ratko Mlladiq ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, deklaroi Denis Beqiroviq, anëtari i Presidencës së BeH-së, raporton Anadolu.
Me rastin e kërcënimit të paprecedentë dhe brutal të presidentit të entitetit të BeH-së, Republika Sërpska (RS), Milorad Dodik, se “stacionet policore në këtë entitet do të kenë për detyrë ta dëbojnë Schmidt-in sapo të marrin vesh se ai ndodhet në RS”, dhe se është duke u përgatitur “dekreti për arrestimin dhe dëbimin e Christin Schmidt”, tha Beqiroviq.
“Kërcënimet brutale të Milorad Dodikut drejtuar Përfaqësuesit të Lartë ligjor të bashkësisë ndërkombëtare në BeH të përkujtojnë kërcënimet e drejtuara ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare nga krimineli i luftës i dënuar Ratko Mlladiq. Pas kërcënimit të Dodikut se do të ‘rrethojë kazermat e Forcave të Armatosura të BeH-së sipas modelit slloven të vitit 1991’, ky është kërcënimi më i rrezikshëm për procesin e paqes”, tha Beqiroviq.
Ai përkujtoi se me javë dhe muaj i ka paralajmëruar zyrtarët ndërkombëtarë dhe vendorë se në BeH po ndodh një sulm i hapur ndaj rendit kushtetues të shtetit të BeH-së dhe dispozitave themelore të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.
“Fatkeqësisht, ne po hyjmë në muajin e tretë të një sulmi të pamaskuar dhe brutal ndaj rendit kushtetues me pasoja të pallogaritshme për paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës. Komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht dëshmitarët e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit duhet të ndalojnë prishjen e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe hapjen e një vatre të re të luftës në zemër të Evropës”, tha Beqiroviq.
“Thelbi i kërcënimeve brutale të Dodikut ndaj Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar në BeH nuk janë të natyrës personale. Ky nuk është një sulm vetëm ndaj Schmidt. Ky është kërcënim i drejtpërdrejtë për Perëndimin, Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, procesin e paqes dhe shtetin e BeH-së”, tha Beqiroviq.
Ai publikisht i bëri thirrje Këshillit për Zbatimin e Paqes në BeH që të mbështesë me vendosmëri përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në BeH, i cili duhet që sa më shpejt të jetë e mundur të marrë një vendim për shkarkimin e Milorad Dodikut nga posti i presidentit të entitetit të RS-së dhe presidentit të SNSD-së për shkak të veprimeve të tij kundër Dejtonit.












