Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se prej 20 dhjetorit, Armenia i njeh të gjitha pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook.
“Pasaporta jonë sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe më e njohur ndërkombëtarisht. Pas liberalizimit të vizave dhe njohjes së pasaportës nga Spanja në muajin janar, vitin po e përmbyllim me lajmin që edhe Armenia, një shtet që ende nuk na njeh, nga sot ka vendosur të njohë pasaportën e republikës sonë.
Urime qytetarëve dhe përgëzime Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrtarëve shtetërorë që punojnë çdo ditë për forcimin e shtetësisë sonë”, shkroi Kurti.
Armenia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – të shpallur në shkurt të vitit 2008 – kryesisht për shkak të implikimeve për pretendimet e veta territoriale.
Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në mbi 50 shtete të botës, ndërsa mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë në dhjetëra tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, shtetësinë e Kosovës e njohin 117 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.